Pozicioni i Shqipërisë në bregdetin adriatik e ka lejuar atë të ketë avantazhe në energjinë e rinovueshme.
Teksa në vitin 2023, energjia e rinovueshme përfaqësonte 24.5% të energjisë së konsumuar në BE, nga 23.0% në 2022, Shqipëria sipas një raporti të publikuar së fundmi nga EUROSTAT-i, renditet në vendin e dytë pas Norvegjisë për konsumin bruto të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Pjesa e energjisë nga burimet e rinovueshme në konsumin bruto të energjisë elektrike, për vitin 2023 për Shqipërinë llogaritet 106,381%.
“Vendi i EFTA-s Norvegjia dhe vendi kandidat Shqipëria prodhuan më shumë energji elektrike nga burime të rinovueshme sesa sasia totale e energjisë elektrike që ata konsumuan në vitin 2023, duke çuar kështu në një përqindje më të lartë se 100%”, thuhet në raport.
Ndër vendet e BE-së, më shumë se 75% e energjisë elektrike të konsumuar në vitin 2023 është prodhuar nga burime të rinovueshme në Austri (87,8%), Suedi (87,5%) dhe Danimarkë (79,4%). Konsumi i energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme ishte gjithashtu i lartë në Portugali (63%), Kroaci (58,8%), Spanjë (56,8%), Letoni (54,3%) dhe Finlandë (52,4%), duke përbërë më shumë se gjysmën e energjisë elektrike të konsumuar. Në anën tjetër të shkallës, pjesa e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme ishte më pak se 20% në Maltë (10,7%), Çeki (16,4%), Luksemburg (18%) dhe Hungari (19,5%).
Sipas raportit, rritja e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme të energjisë gjatë periudhës 2013-2023 reflekton në masë të madhe një zgjerim në dy burime të rinovueshme të energjisë në të gjithë BE-në, përkatësisht energjinë e erës dhe energjinë diellore.
Në vitin 2023, burimet e rinovueshme të energjisë përbënin 45.3% të konsumit bruto të energjisë elektrike në BE, më shumë se 4 pp më i lartë se një vit më parë (41.2% në 2022).
Për Europën të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj klimës në botë deri në vitin 2050 është sfida dhe mundësia më e madhe e kohës.
Në Shqipëri, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2023, arriti vlerën 8.796 GWh nga 7.003 GWh energji të prodhuar në vitin 2022, duke shënuar një rritje të prodhimit me 25,6 %.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 58,2 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 40,8 % dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaikë) në masën 1,0 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.
Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në vitin 2023, ka arritur vlerën pozitive prej 920 GWh. Në vitin 2022, shkëmbimi i energjisë elektrike kishte nje vlerë negative prej 921 GWh (fig.2). /j.p/