Site icon Tetova Expres

“Faleminderit për gjithçka kapiten”Ferhan Hasani Buba i jep fund karrierës si futbollist

Ferhan Hasani, një nga futbollistët më të talentuar që ka prodhuar akademia jonë dhe një nga figurat më ikonike të klubit, ka shpallur tërheqjen nga futbolli aktiv në moshën 34-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Buba, përmes një videoje emocionuese në rrjetet sociale, ku ndau momentet më të bukura të karrierës së tij dhe një mesazh falënderimi për të gjitha klubet ku ishte pjesë ndër vite.

Një karrierë e ndritur

Hasani filloi rrugëtimin e tij te Shkëndija, ku u bë pjesë e gjeneratës historike që në vitin 2011 fitoi titullin e parë kampion në histori të klubit. Me talentin dhe përkushtimin e tij, ai u afirmua si një nga lojtarët më të spikatur të brezit të tij, duke hapur dyert për një karrierë ndërkombëtare me ekipe si Wolfsburg (Gjermani), Brøndby (Danimarkë), Al Raed (Arabia Saudite), Helsinki (Finlandë), Partizani (Shqipëri) dhe Helsingør (Danimarkë).

Në kulmin e karrierës, 2015-2018, Hasani ishte pjesë e një Shkëndije të fuqishme që shkëlqeu në garat evropiane, duke arritur tre herë radhazi në Play-Off të UEFA Europa League dhe duke u përballur me ekipe të mëdha, mes tjerash 7 herë fituesin e Champions League, Milanin e Italisë.

Advertisement

Si kapiten i skuadrës në vitin 2018, ai udhëhoqi ekipin drejt titullit kampion dhe Kupës së vendit, duke regjistruar një rekord historik si kampioni më dominues në Evropë me +35 pikë diferencë nga vendi i dytë.

Një legjendë kuqezi dhe pjesë e historisë së futbollit shqiptar

Hasani nuk shkëlqeu vetëm te Shkëndija, por ishte edhe një pjesë e rëndësishme e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, duke kontribuar në arritjen historike të kualifikimit për Kampionatin Evropian 2021.

Nga një talent i akademisë sonë deri te një ikonë e klubit dhe e futbollit shqiptar, Ferhan Hasani ka lënë një trashëgimi të pashlyeshme në historinë e Shkëndijës dhe më gjerë. Përkushtimi, lidershipi dhe magjia e tij me topin do të mbeten gjithmonë pjesë e identitetit tonë.tv21

Advertisement
Exit mobile version