Inspektorati shtetëror shëndetësor hyri në Spitalin e përgjithshëm të Strugës për të përcaktuar se si dhe në çfarë mënyre është trajtuar fëmija 4 vjeçar nga fshati Llabunishtë, i cili dje ka ndërruar jetë në Repartin e fëmijëve në Strugë. Nga Inspektorati thonë për Alsat se do të bëjnë mbikëqyrjen e jashtëzakonshme të procedurës së trajtimit, pas së cilës mund të rekomandojë formimin e një komisioni që do të kryente mbikëqyrje profesionale. Ata thonë se raporti do të jetë gati për maksimumi dy ditë. Edhe Ministria e shëndetësisë ka vërtetuar se Instituti do të bëjë inspektim në spitalin e Strugës.
“Inspektorati shtetëror sanitar shëndetësor (ISHSH) ka lëshuar urdhëresë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë,
Shefi i Repartit të fëmijëve, Vllatko Mickoski, tha për Alsat se fëmija kishte formë të rëndë të paralizës cerebrale dhe ishte trajtuar në disa vende dhe ishte sjellë në gjendje të rëndë. Ai pretendon se ata bënë gjithçka që mund të bëhej.
“Ai u ndal dhe u shtrua në repart, filloi terapia, por pas 15 minutave gjendja e tij u përkeqësua me ndalim të frymëmarrjes dhe arrest kardiak. Filluam me reanimacion, gjithçka që duhej dhënë u dha sipas protokollit, thirrëm anesteziologun, por pas 30-40 minutave reanimimi ishte i pasuksesshëm dhe konstatuam se fëmija kishte vdekur. Ai kishte sëmundje kronike dhe gjatë gjithë kohës ka pasur infeksione të shpeshta të frymëmarrjes, është trajtuar, por është sjellë në gjendje të rëndë”, deklaroi Vllatko Mickoski- Shef i Repartit të fëmijëve- Strugë.
Policia në koordinim me prokurorin publik po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit. Nga SPB Ohër konfirmojnë se me urdhër të prokurorit publik nuk do të bëhet autopsia e trupit dhe i është dorëzuar familjes. Në ndërkohë, mësojmë se familja nuk planifikon ta padisë spitalin apo të marrë masë ligjore. /Alsat.mk