Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov e shkarkoi gjykatësen Daniella Aleksovska Stojanovska nga pozita e anëtares së grupit punues për Kodin Penal në kuadër të ministrisë, për shkak të reagimeve në opinion se gjykatësja paraprakisht e ka shpëtuar nga burgu Vasill Jovanovin, i cili është kapur me lëndë narkotike.Jovanov, në vend që të ndodhej në burg, në gjendje të dehur, pa patentë shofer dhe në semafor të kuq, aksidentoi për vdekje 23-vjeçaren Frosina Kullakova. Filkov, kërkoi nga Këshilli Gjyqësor ta rishqyrtojë veprimin e gjykatës. Derisa vazhdon revolta e qytetarëve të cilët kërkojnë llogari, kreu i Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski, thekson se do të shqyrtohet rasti dhe nëse ka pasur shkelje do të ketë sanksione.
“Nuk e di konkretisht çështjen, nuk e di cilat kanë qenë provat, si ka qenë ngjarja dhe nuk do të guxoja të komentoj në lidhje me vendimin derisa nuk e shoh lëndën e plotë. Sigurisht, se do të shqyrtohet. Gjithkund ku ka lëshim, do të sanksionohet. Të gjithë angazhohemi për sundimin e ligjit, domethënë nuk njoh dikë që pajtohet që të na ndodhin gjendje të këtilla”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Jovanov, i cili më 29 janar duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shoferi dhe duke kaluar në semafor të kuq, e goditi për vdekje Frosinën.Pavarësisht se është kapur me marijuanë dhe kokainë, në vend që të përfundojë në burg, gjykata i ka shqiptuar masë për dërgim në shtëpinë edukuese-korrektuese në Tetovë.Megjithatë, Jovanov nuk ka shkuar në shtëpinë korrektuese pasi që lënda është në procedurë ankimuese në Apel. Qytetarët kanë shprehur revoltën ndaj veprimit të gjykatës nëpërmjet protestës.