Site icon Tetova Expres

Panik në Greqi, 200 lëkundje toke në Santorini, mbyllen shkollat

Më shumë se 200 lëkundje toke janë regjistruar në afërsi të ishullit të Santorinit duke bërë që autoritetet greke të mbyllin shkollat dhe t’u thonë banorëve që të shmangin disa porte. Ekspertët e tërmeteve thonë se rritja e aktivitetit sizmik rreth ishullit turistik të Egjeut, i njohur për ndërtesat e tij të bardha dhe plazhet me rërë të errët, nuk lidhet me aktivitetin vullkanik. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kryesoi një takim urgjent në Athinë, ndërsa autoritetet e Santorinit janë përgatitur për një evakuim të mundshëm. Tenda janë ngritur në një stadium, policia dhe zjarrfikësit janë vënë në gatishmëri dhe njësitë speciale të reagimit ndaj fatkeqësive me qen nuhatës janë gati po ashtu. Banorët e ishullit janë këshilluar të shmangin tubimet e mëdha në ajër të hapur dhe të qëndrojnë larg katër porteve të vogla duke përfshirë portin e Firës, i cili u shërben kryesisht anijeve turistike. Pronarëve të shtëpive dhe hoteleve u është thënë gjithashtu që të zbrazin pishinat e tyre për shkak të shqetësimeve se vëllime të mëdha uji mund të destabilizojnë ndërtesat në rast të një tërmeti të fortë. Shkollat u mbyllën të hënën në Santorini si dhe në ishujt e afërt të Amorgos, Ios dhe Anafi. Më shumë se 200 tërmete janë regjistruar që nga orët e para të së premtes, por nuk ka raportime për dëme apo viktima. Tërmeti më i fortë i regjistruar ka qenë me magnitudë 4.6 të së dielës pasdite, ndërsa kanë pasuar disa lëkundje me magnitudë mbi 4 dhe dhjetëra të tjera me magnitudë 3. Ekspertët thanë se ishte e pamundur të parashikohej nëse aktiviteti sizmik mund të çonte në një lëkundje më të fortë, por shtuan se zona mund të prodhojë një tërmet me magnitudë deri në 6 ballë.

Exit mobile version