Site icon Tetova Expres

Strategjia e re dhe sfidat e investimeve të huaja

Problemet ekonomike në Gjermani ku realizojmë gati gjysmën e eksportit, cilësia më e madhe e investitorëve të huaj, lëvizjet e fabrikave të huaja karshi krizës evropiane, gjetja e vendeve të reja tregtare, përmirësimi i shërbimeve për investitorët e huaj… Këto janë vetëm një pjesë e sfidave të investimeve të huaja në vend. Të dhënat e fundit të Bankës Popullore tregojnë se vetëm deri në shtator kemi 830 milion euro investime të huaja, me paralajmërime se kjo shifër do të rritet deri në fund të vitit apo për disa muaj kur do të zbardhet bilanci përfundimtar i tyre. Një miliardë euro investime të huaja direkte deri në fund të vitit të kaluar janë të realizueshme, mendon kreu i Këshillit të Investitorëve të Huaj, Viktor Mizo. Ai thekson se është e nevojshme që investitorët e ardhshëm të përpiqen për cilësi më të lartë, për çka shteti duhet të investojë në arsimin e duhur dhe vazhdimisht të përmirësojë klimën e biznesit dhe investimeve.

“Sasia e investimeve të huaja direkte, në vetvete është një tregues i mirë i proceseve dhe kushteve ekonomike në vend. Gjithashtu, nëse marrim parasysh se në nivel global, fluksi hyrës i investimeve të huaja direkte ka shënuar rënie serioze këtë vit, dhe sipas analizës së Institutit të Vjenës në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jugperëndimore, në tre tremujorët e mëparshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është 44 për qind më e ulët se sa në numrin e projekteve Greenfield dhe 39 për qind më e ulët në përgjithësi për sa i përket vlerës së projekteve të shpallura Greenfield. Përjashtim bën vetëm Moldavia, e cila ka shënuar rritje, ndërsa Shqipëria fqinje ka shënuar rënie deri në 88 për qind në projektet e investimeve”, shpjegon Mizo.

Sipas tij, duhet të bëhet një analizë e thellë se në çfarë saktësisht do të investohet kjo shumë, në cilët sektorë dhe për çfarë lloj projektesh dhe sa vlerë shtojnë ato. Një pjesë e mirë e fluksit të investimeve të huaja direkte, siç thekson ai, i takon investitorëve tashmë të pranishëm në vend, të cilët pas stabilizimit politik shohin një mundësi shtesë për të rritur kapitalin e tyre në vend.

“Besoj se është më e rëndësishme që në vend të njoftimeve për investime, shumë prej të cilave në të kaluarën as që kanë filluar, të shikojmë më shumë sasinë e investimeve reale të realizuara. Ajo që ne duhet të përpiqemi është rritja e cilësisë së investimeve të ardhshme, niveli i zhvillimit të tyre teknologjik dhe njohuritë e përgjithshme që ato sjellin këtu. Për të qenë i përgatitur për të tërhequr investime të tilla cilësore, shteti duhet të investojë në arsimimin e duhur dhe të nevojshëm të avancuar, të përmirësojë vazhdimisht klimën e biznesit dhe të investimeve dhe ta bëjë këtë nga të gjitha aspektet, në mënyrë që të jetë tërheqëse për investitorët e rinj, por edhe për të zgjeruar aktivitetet e investitorëve ekzistues në vend “, thotë Mizo.

Për tërheqjen e investimeve në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, sipas Mizos, nevojitet një strategji gjithëpërfshirëse dhe ekipi të jetë i pajisur me staf të përshtatshëm profesional, duke përfshirë njerëz me përvojë praktike nga sektorët e synuar, duke ndjekur shembullin e vendeve të suksesshme në rajon dhe më gjerë.

Advertisement

Krijimi i një sistemi të fortë dhe të unifikuar kujdesi për t’i shërbyer investitorëve ekzistues për të adresuar shpejt dhe me efikasitet sfidat me të cilat përballen, si dhe informacioni i detajuar për planet, problemet dhe mundësitë e tyre do të çojë në opsione shtesë për riinvestim nga ana e tyre, shton presidenti i Këshillit të Investitorëve të Huaj. Përkitazi me problemet në Gjermani ku kemi rënie të eksportit prej 13.5 për qind në dhjetë muajt e parë të vitit 2024 karshi vitit 2023, ai vlerëson se ky është një problem që do të jetë prezent përderisa nuk përmirësohet gjendja ekonomike në Gjermani.

Në të njëjtën kohë, ky është edhe një tregues shtesë i domosdoshmërisë për të diversifikuar eksportet tona dhe për të gjetur vende të reja partnere tregtare për shitjen e produkteve të Maqedonisë, si dhe sektorë të rinj në të cilët do të mbështetemi për rritjen dhe zhvillimin e ardhshëm të ekonomisë. Është e mundur që në të ardhmen të ketë nevojë për një mbështetje më të madhe, të projektuar posaçërisht nga shteti për sektorët që do të preken në shkallë më të madhe dhe do të kenë një ndikim serioz në ekonominë kombëtare dhe standardin e jetesës këtu, thotë kreu i Këshillit të Investitorëve të Huaj.

Kryetari i Këshillit të investitorëve të huaj nuk pret largime nga kompanitë maqedonase që merren me prodhimin e pjesëve për automobilistikë, por është e mundur që të zvogëlohet ngarkesa e punës, e në këtë mënyrë të zvogëlohet numri i të punësuarve përmes luhatjeve natyrore. Njëherësh shto se largimet e punonjësve për arsye të ndryshme nuk do të plotësohen menjëherë, dhe potencialisht për një periudhë më të gjatë kohore. Kjo mund të rezultojë në një numër më të ulët të të punësuarve në këtë sektor, i cili aktualisht punëson rreth 35,000 punëtorë. Shifra përfundimtare absolute sigurisht që do të varet nga sa kompani janë aktualisht në ciklin e investimeve dhe nga procesi i marrjes së projekteve të reja ose stafit të ekipit për zbatimin e tyre, në krahasim me punën në projekte që kanë qenë në prodhim serik për një kohë më të gjatë, shpjegon Mizo. Fokusi i shumë kompanive, sipas tij, do të zhvendoset në optimizimin e përgjithshëm të operimit, i cili ndër të tjera përfshin racionalizimin e kostove në baza të ndryshme, kufizimin e udhëtimeve të biznesit, eliminimin e trajnimeve të panevojshme e të ngjashme.

Duke pasur parasysh ekspozimin e ekonomisë sonë ndaj industrisë së automobilave në Gjermani, besoj se në periudhën në vijim investitorët dhe shteti duhet të përgatisin sa më shpejt një strategji të përbashkët për të zbutur këtë krizë, por edhe goditjet e ardhshme ekonomike, të cilat ne do vazhdojnë të shohin, si në Gjermani ashtu edhe në vende të tjera në tregun evropian. Vetëm me një qasje dhe proaktivitet të tillë vendor mund të përballemi me rreziqet e jashtme ekonomike dhe tregtare dhe të rrisim elasticitetin, por edhe konkurrencën e vendit për këtë lloj investimi, konstaton Mizo.

Ndryshe, numri i të punësuarve në zonat ku punojnë investitorët e huaj ka kaluar 18.100, ndërsa paga mesatare e paguar nga kompanitë ka kaluar 46 mijë denarë, apo më shumë se mesatarja shtetërore prej 42 mijë denarë. Njëherësh, të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti, fluksi i investimeve të huaja direkte në Maqedoni ka arritur në 281.6 milionë euro. Nga atje informuan se gjatë kësaj periudhe ka pasur rritje neto hyrëse në bazë të borxhit ndërkompanitë (219.5 milionë euro), kapitalit (39.9 milionë euro) dhe fitimeve të riinvestuara (22.2 milionë euro).

Advertisement

(koha.mk)

Exit mobile version