Site icon Tetova Expres

Është arrestuar një kirurg nga Manastiri, mori 150 euro ryshfet nga një pacient

Prokuroria Themelore Publike Manastir ka iniciuar procedurë kundër një personi për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale – Marrje e ryshfetit nga neni 357 paragrafi 6 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 2 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Dyshimi rrjedh nga fakti se i dyshuari më 27 janar si person i cili ka kryer punë me interes publik, gjegjësisht mjek kirurg në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin klinik “Dr.Trifun Panovski” Manastir ka kryer ndërhyrje –  operim në fshikëzën e tëmthit ndaj pacientit dhe më pas në mënyrë indirekte përmes një dëshmitari i ka kërkuar djalit të pacientit që t’i japë para në shumë prej 150 euro për ta shpërblyer për punën e bërë. Djali, i cili ishte më pas në ambientet e spitalit, i ka dhënë të dyshuarit tre kartëmonedha 50 euro në një zarf. Pasi i dyshuari i ka pranuar, i është kryer bastisje dhe zyrtarët e autorizuar nga SPB Manastir kanë gjetur dhe ia kanë marrë paratë”, njoftojnë nga Prokuroria.

Prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike Manastir, gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje.

Edhe MPB njoftoi se me datë 28.01.2025 në ora 17:00 në ambientet e Spitalit Klinik Manastir, nga ana e punonjësve policorë të SPB Manastir, i është hequr liria mjekut M.S (64) në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Klinik Manastir.

“Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” nga neni 357 i Kodit Penal, gjegjësisht se pas kryerjes së një procedure kirurgjikale ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet nga një person nga Manastiri. Atij iu gjetën dhe iu morën paratë. M.S. është ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të çështjes ndaj tij është bërë kallëzim penal”, thonë nga MPB.

Advertisement
Exit mobile version