Sezoni i ri i garave në atletik sipas orarit të Federatës së Atletikës hapet me disiplinat e hedhjes në fund të muajit shkurt. Dhe pikërisht për këtë klubi i atletikës Studenti i Tetovës nga java e kaluar nën drejtimin e trajnerit Bexhet Toçi kanë filluar me përgatitje intensive në sallë.
Klubi i atletikës Studenti nga Tetova, vitin e 24-të të themelimit të vet i ka filluar përgatitjet për realizimin e plan programit për vitin 2025, të hartuar nga kryesia e klubit në bashkëpunim me stafin teknik që e kryeson profesor Bexhet Toçi.
Pra, ekipi nga java e kaluar me kapacitet mesatar vijon përgatitjet në salla të mbyllura shkaku i kushteve të vështira atmosferike, megjithatë të gjithë atletët në seancat stërvitore japin gjithçka nga vetja të vetëdijshëm se vetëm në këtë mënyrë mund të realizojnë objektivin e tyre
“ Kemi filluar. Ushtrimet kanë filluar që nga java e kaluar në palestër dhe përgatitemi për sezonin e ardhshëm 2025. Stërvitjet do të jenë më intensive me përmirësimin e kohës për shkak të kushteve jo të përshtatshme klimatike në Tetovë dhe pamundësia e palestrave të nxehta. “ deklaroi Bexhet Toçi kryetar i KA Studenti.
Por ekipi krahas punës në kushtet ekzistuese këtu në Tetovë planifikon që në bazë të mundësive në fazë të përgatitjeve ta zhvillojnë në Korçë kua ka kushte ideale për përgatitje.
“ Kemi në plan si për çdo vit që shkojmë në muajin mars, kemi një udhëtim për në Korçë ku ka dy stadiume të atletikës dhe janë kushtet shumë të mira dhe kemi një ambient shumë të mirë për stërvitje” tha Bexhet Toçi
Sa i përket pjesëmarrjes në ndonjë garë apo miting që organizohet në rajon klubi i atletikës Studenti do të veprojë në bazë të mundësive dhe do të merr pjesë në garat që organizohen në Shqipëri dhe Kosovë dhe normal në të gjitha garat që do të mbahen në vend
“Kampionati shtetëror fillon me hedhjet i cili do filloj në fund të shkurtit 24 dhe 25 shkurt dhe do marrim pjesë në të gjitha ato gara ku ne do të kemi mundësi edhe materiale. Se për të shkuar pasi buxhetet e komunës dhe të shtetit janë shumë të dobëta për zhvillimin e sportit nëpër gjithësi“ tha kryetari Toçi