Elbasan, 27 janar – Elbasan-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, është kantieri i radhës ku tashmë kanë nisur punimet për të ofruar një aks të ri rrugor, me kushte e standarde të larta. Puna ka nisur me 18 kilometrat e parë, Elbasan-Papër-Ura e Grykshit, dhe brenda pak javëve është avancuar ndjeshëm, raporton ABC.
Segmenti shtrihet përgjatë luginës së lumit Shkumbin, ku janë kryer punime për gërmimin e trupit të rrugës, në një gjatësi prej 980 ml, si dhe njëkohësisht edhe për ndërtimin e mureve gabion përfshi edhe punime për bazamentet e tombinove. Punimet i vizitoi zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Ne duhet të kemi parasysh gjithashtu që Korridori i VIII ka një ndikim shumë të madh edhe në operimet e portit të ri të Porto Romanos, pasi ai do të jetë një port që nuk do ti shërbejë vetëm Shqipërisë, por do ti shërbejë edhe Maqedonisë së Veriut, përmes një porti që fillimisht u dizenjua nga pala e Maqedonisë së Veriut të ishte në Strug, por tashmë me vendimin e qeverisë së re është vendosur që të spostohet dhe të jetë në kryeqytet, në Shkup. Kështu që ky Korridor do të shërbejë edhe në volume komericale të portit të ri, ndaj ka rëndësi të veçantë”, nënvizoi Balluku.
Aksi rrugor Elbasan-Rrogozhinë ka një gjatësi prej 40 kilometrash. Projekti parashikon ndërtimin e një autostrade të kategorisë A me shpejtësi lëvizjeje 130 km/orë.
Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi më 12 dhjetor të vitit 2024 ndryshimet ligjore që duhet të mundësojnë ndërtimin e përshpejtuar të seksioneve të autostradës së korridoreve 8 dhe 10d, me vendime që rregullojnë mënyrën e pagesës për punimet që lidhen me shpronësimin.
Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se ka shqetësim rreth mungesës së transparencës në procesin e dhënies së tenderëve për prokurimet publike për Korridorin 8 dhe Korridorin 10d. Aty shprehet shqetësimi për tejkalimin e buxhetit të parashikuar për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d. Janë planifikuar 1,3 miliardë euro, ose 11,5 përqind e PVB-së së Maqedonisë së Veriut në vitin 2023.