Lajme nga vendi
Mickoski takon familjen Rusi në SHBA: Ata janë shembull i shqiptarëve të suksesshëm nga Maqedonia
Kryeministri, Hiristijan Mickoski gjatë vizitës në SHBA ka takuar familjen shqiptare Rusi të cilët janë me prejardhje nga Dibra.
Kryeministri në profilin e tij në Facebook shkruan se me familjen Rusi kanë diskutuar për mundësitë për forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe Maqedonisë, si dhe për projekte që do të sjellin përfitime për të gjithë qytetarët.
Besoj se vetëm të gjithë së bashku, pavarësisht nga përkatësia etnike, mund të punojmë së bashku për të ndërtuar një Maqedoni stabile dhe të begatë.
Ne kemi nevojë për të gjithë ata që mund të kontribuojnë, si në vendlindje ashtu edhe nga diaspora, për të krijuar të ardhmen që meritojmë”, shkruan Mickoski në Facebook./Telegrafi/
Lajme nga vendi
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet mesatar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM. Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
“Në gjobë do të ketë edhe foto”, Iseni: Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon
“Në gjobë do të ketë edhe foto. Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon”, kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni .
Iseni mes tjerash theksoi se qëllimi nuk është të gjobiten qytetarët, por siç shtoi, të rritet vetëdija nga pakujdesia.
Lajme nga vendi
Filloi testimi i kamerave të ‘Qytetit të Sigurt’, policia me apel
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët se në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, në periudhën nga 20.01 (e martë) deri më 31.01 (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit, transmeton Portalb.mk.
Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.
“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit”, informoi MPB.
Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.

