Agjencia shtetërore e lajmeve e Arabisë Saudite raportoi se princi i kurorës i vendit synon të investojë qindra miliarda në ekonominë amerikane gjatë mandatit të presidentit Donald Trump.
Princi i kurorës i Arabisë Saudite deklaroi se mbretëria dëshiron të investojë 600 miliardë dollarë (576 miliardë euro) në SHBA gjatë katër viteve të ardhshme, pas një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump.
Por, nuk janë dhënë detaje se si do të shpenzohen saktësisht paratë, shkruan euronews.
Gjatë bisedës së dy liderëve, thuhet se ata diskutuan mënyrat se si vendet mund të bashkëpunojnë për të vendosur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Raportohet se pas inaugurimit të tij, Trump foli për mundësinë që të shkonte sërish në mbretëri, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, siç bëri në vitin 2017.
“Udhëtimi i parë jashtë vendit zakonisht ka qenë në Britaninë e Madhe, por herën e fundit e bëra në Arabinë Saudite, sepse ata ranë dakord të blinin 450 miliardë dollarë (429 miliardë euro) të produkteve tona”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale.
“Unë mendoj se ndoshta do të shkoj përsëri”, tha udhëheqësi i inauguruar së fundmi.
Ndryshe, vitet e fundit, SHBA-ja është tërhequr gjithnjë e më shumë nga mbështetja në eksportet e naftës saudite – dikur themeli i marrëdhënieve midis dy kombeve.
Trump mbajti marrëdhënie të ngushta me Arabinë Saudite, edhe pasi princi i kurorës u përfshi në polemika për vrasjen e vitit 2018 të kolumnistit të Washington Post, Jamal Khashoggi në Stamboll.