Kompania “Saubermacher” në Tetovë ka bërë të ditur se janë iniciuar procedurat për arkëtimin e detyrueshëm të borxheve të papaguara apo faturat e shërbimeve komunale për periudhën shkurt-gusht 2024. Sipas kësaj kompanie, qytetarët janë paralajmëruar për veprime të tilla dhe ata që nuk i janë përgjigjur thirrjes do të përballen me kosto shtesë sipas procedurave të mbledhjes së detyruar.
“Për të shmangur shpenzimet shtesë dhe shqetësimet në procedurat e arkëtimit së detyruar dhe përmbarimit, apelojmë tek të gjithë përdoruesit që kanë borxh të papaguar për faturat e lëshuara gjatë vitit 2024 që ta paguajnë sa më shpejtë. Duke paguar rregullisht, ne mund të sigurojmë kushte më të mira jetese në qytetin tonë dhe të shmangim situatat e pakëndshme dhe të panevojshme që mund të lindin gjatë procedurave përmbarimore. Bashkëpunimi juaj është i një rëndësie të madhe dhe me përgjigjen tuaj në kohë, ne do të kontribuojmë në funksionimin më të mirë të komunitetit tonë”, thonë nga kompania “Saubermacher”.
Ndërkohë, kjo kompani ka apeluar qytetarët ndërsa kërkohet që të njëtit të mos i hedhin mbeturinat pranë kontejnerëve. Kjo, pasi që në këtë periudhë, sfidat për grumbullimin e mbeturinave janë të shumta, ku reshjet e borës shkaktojnë vështirësi gjatë grumbullimit të mbeturinave për punëtorët e kësaj kompanie. Nga kjo kompani më tej sqarojnë se hedhja e mbeturinave jashtë kontejnerëve shkakton edhe pengesa në lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve, sidomos kur ka mbulesë bore, probleme me pastërtinë e hapësirave publike si dhe rritjen e rrezikut të përhapjes së sëmundjeve.
“Periudha e dimrit ka sfida të veçanta për punëtorët dhe automjetet tona për shkak të borës dhe ngricave në rrugë. Ju lusim të mos i lini mbeturinat jashtë kontejnerëve. Duhet të keni konsideratë kushtet atmosferike, kur mbetjet shpërndahen rreth kontejnerëve, përveç që vështirëson punën e punëtorëve tanë dhe ndikon në efikasitetin në terren, sigurisht që ka një ndikim negativ edhe në mjedisin jetësor. Me bashkëpunimin tuaj, ne mund ta mbajmë mjedisin tonë të pastër dhe të sigurt për të gjithë. Ju lutemi hidhni mbeturinat ekskluzivisht në kontejnerë”,apelojnë nga kompania “Saubermacher”.
Nga kjo kompani, u bëjnë thirrje qytetarëve të cilët ende përballen me të dhëna joadekuate në faturat e lëshuara ose në rast se duan të bëjnë pagesë të kontaktojnë “Saubermacher” në Tetovë, në zyrën e re në rrugën “Dervish Cara” në Tetovë, pastaj në Pallçisht të poshtëm, në sportelin e përkohshëm në objektin e komunës së Tetovës, si dhe një pikë pagesore në objektin e Ndërmarrjes Komunale “Tetova” afër tregut të gjelbër.TV KOHA