Site icon Tetova Expres

Kina dhe Rusia konfirmojnë bashkëpunimin

Pasditen e 21 janarit, Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi një videotakim në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Dy krerët e shteteve së pari shkëmbyen urimet për Festën e Pranverës ose Vitin e Ri Kinez.

Xi Jinping vuri në dukje se vitin e kaluar, gjatë tre takimeve me homologun rus, u arritën shumë mendime të rëndësishme unanime. Në vazhdim u theksua se gjatë vitit të ri, të dyja palët duhet të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin strategjik duke konsoliduar dhe zgjeruar marrëdhëniet nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të thelluar të bashkëpunimit praktik.

Xi tha se, ky vit shënon 80 vjetorin e fitores së Luftës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez, Luftës së Madhe Patriotike të ish-Bashkimit Sovjetik dhe Luftës Antifashiste Botërore, si edhe 80 vjetorin e themelimit të Kombeve të Bashkuara. Kina dhe Rusia duhet ta shfrytëzojnë këtë rast për të mbrojtur së bashku sistemin ndërkombëtar me OKB në qendër dhe rezultatet e fitores së Luftës së Dytë Botërore. Ato duhet të nxisin të gjitha vendet që t’u binden objektivave dhe parimeve të Kartës së OKB-së, t’i përmbahen normave të marrëdhënieve ndërkombëtare të njohura botërisht dhe të praktikojnë multilateralizëm të vërtetë.

Putini u shpreh nga ana tij se Rusia dhe Kina gjithmonë kanë besuar, mbështetur dhe trajtuar njëra-tjetrën në mënyrë të barabartë. Ai gëzohet teksa sheh që bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dhe energjetik mes dy vendeve ruan një vrull të mirë, ku numri i vizitave të ndërsjella të turistëve vazhdon të rritet dhe të dyja palët ruajnë komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë në evente shumëpalëshe.

Advertisement

Rusia mbështet me vendosmëri faktin që Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të Kinës dhe kundërshton me vendosmëri çdo formë të “pavarësisë së Tajvanit”.

Këtë vit, do të festojmë bashkarisht 80-vjetorin e fitores së Luftës Antifashiste Botërore, duke mbrojtur rezultatet e Luftës së Dytë Botërore. Rusia është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Kinën në çështjet shumëpalëshe, si edhe të luajë një rol aktiv për paqen dhe zhvillimin botëror”, tha kreu i shtetit të Rusisë.

Të dy krerët e shteteve patën gjithashtu shkëmbime të thelluara mendimesh për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët dhe ranë dakord të ruajnë komunikimin strategjik edhe në vitin e ri në vazhdim.

Exit mobile version