Ligji për mbrojtjen e fëmijëve është rikthyer në procedurë parlamentare pasi presidentja Gordana Siljanovska Davkova e përdori të drejtën e vetos dhe nuk e nënshkroi Dekretin, me arsyetimin se neni i cili parashikon që licencat për punë në çerdhe jepen në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe – është në kundërshtim me Kushtetutën. Me kthimin të këtij Ligji në Parlament është rikthyer edhe retorika nacionaliste dhe përçarëse në objektin ligjvënës. Salla e Parlamentit edhe një herë u shndërrua në arenë të përplasjeve verbale dhe ofendimeve nga më të ndryshmet, të cilat kryesisht buronin nga ajo se, përse gjuha shqipe të jetë pjesë e përdorimit në licencat për çerdhe që lëshohen nga ana e Ministrisë për Politikë Sociale.
Fillimisht LSDM elaboroi amendamentin e propozuar me të cilin kërkonin që nga Ligji të hiqet pjesa ku shkruan se licencat të nxirren në dy gjuhë, konkretisht neni 9 në të cilën shënohet se licencat të jepen edhe në gjuhën të cilën e flasin 20% e popullatës. Madje, deputetja e LSDM-së, Jovankla Trençevska tha se e përshëndet vendimin e presidentes e cila shfrytëzoi veton për këtë ligj.
“Është mirë që kemi veto nga ana e presidentes, e cila thotë që të shqyrtohet miratimi i këtij ligji. Prej atyre arsyeve, kemi propozuar dy amendamente për këtë ligj në nenin 9. Propozojmë që pika 2 nga neni 9 të hiqet, me çka do të vepronim në bazë të rekomandimit të presidentes Siljanovska, por edhe do ta respektonim Kushtetutën e vendit. Gjithashtu, kërkojmë të hiqet plotësisht edhe neni 10 I ligjit”, tha Trençevska, por që propozimi i saj nuk mori mbështetje, pasi 69 deputetë votuan kundër, ndërsa vetëm 19 ishin për.
Pas kësaj, deputetët e të Majtës elaboruan propozim-amendamentin e tyre i cili nënvizonte “në nenin 9, paragrafi 2, fjalët ‘në gjuhën që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj’, të zëvendësohen me fjalët ‘në njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e tyre në varësi të gjuhës amtare të kandidatit”. Deputeti i së Majtës, Sashko Jançev, e arsyetoi amendamentin e tij, duke thënë se me këtë amendament – ata synojnë ë pengojnë dygjuhësinë në shtet. “Me këtë amendament, ne themi të mos jenë në dy gjuhë, por të jenë në gjuhë maqedonase dhe në varësi të kandidatit, të lëshohen në njërën prej gjuhëve zyrtare dhe në këtë mënyrë të pengojmë dygjuhësinë, e cila është element për dezintegrimin e Maqedonisë së Veriut”, tha Jançev.
Ndaj kësaj replikoi deputeti i Frontit Europian, Sali Murat, i cili tha se ky amendament është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, dhe si i tillë nuk ka bazë që të mbështetet. “Ky amendament është në kundërshtim me Kushtetutën, në mënyrë të drejtpërdrejtë bie ndesh me nenin 5 të Kushtetutës, e cila garanton përdorimin e gjuhës të cilën e flasin të paktën 20% e popullatës. Me këtë cenohet e drejta ime si një pjesëtarë i përkatësisë etnike më të vogël”.
Megjithatë, debati vazhdoi mes kryetarit të partisë e Majta, Dimitar Apasiev me deputetët e koalicionit VLEN. Apasiev fillimisht kishte kritika të ashpra në drejtim të VMRO-DPMNE-së. “Ju të VMRO-DPMNE-së po e zbatoni Platformën e Tiranës, të cilën BDI dhe partnerët koalicionit të VLEN e kanë bërë me aminin e Edi Ramës”, theksoi Apasievi, ndërsa nuk i kurseu as deputetët e VLEN-it. “Nuk mundet që siç thotë Snopçpe, të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, ku e keni parë këtë. A e dini përse kërkon këtë, sepse nuk e di gjuhën maqedonase. Ne jemi shtet i vetëm në botë ku në klasë të parë, fëmijët nuk mësojnë gjuhën maqedonase, e cila është zyrtare në shtet”, tha Apasiev.
Me replikë Halil Snopçe, i cili tha se ndjen keqardhje që duhet të debatojë me një person, i cili është me bindje naziste, ndërkohë që tha se maqedonasit nuk humbin asgjë nëse avancohen të drejtat e shqiptarëve. “Ka kaluar koha kur ju me grupin tuaj keni protestuar kundër hapjes së paraleles në gjuhën shqipe në Fakultetin e Pedagogjisë në Shkup, për të penguar që shqiptarët të arsimoheshin dhe të mësonin në gjuhën e tyre amtare. E drejta e gjuhës është e drejtë universale, nuk do të thotë që nëse me avancohen mua të drejtat, tjetrit do ti humben. Ti nuk do të humbasësh asgjë nëse unë fitojë një të drejtë”, tha Snopçe në replikën e tij drejtuar Apasievit.
Ndërsa Apasievi u mundua të thotë se nuk ka asgjë ndaj gjuhës shqipe, por që siç theksoi ai, “problemi është që në irredentizmin tuaj po ndërtojmë shoqëri paralele, të rinjtë maqedonas dhe shqiptarë po flasin në gjuhën angleze”.
“Ky shtet nuk është shtet binacional, nëse jepen licencat në gjuhën shqipe, le të jepen edhe në gjuhën turke, rome, serbe. Ne jemi shtet multi-etnik, e jo shtet i maqedonasve dhe shqiptarëve”, shtoi Apasiev. Debati më pas vazhdoi edhe mes Apasievit dhe deputetit të VLEN, Bekim Qoku, ndërsa disa herë udhëheqësja e seancës kërkoi të shmanget gjuha e papërshtatshme dhe ofendimet, pas çka ajo dha pauzë siç tha “për tu qetësuar gjakrat”, ndërsa as amendamenti i të Majtës nuk kaloi. Ndërkohë, shumica parlamentare kanë gjetur pajtueshmëri në lidhje me këtë propozim-ligj. VMRO-DPMNE kanë propozuar një amendament me të cilin nënvizohet që “Licenca lëshohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, dhe nëse aplikuesi flet një gjuhë të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të tij lëshohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe në gjuhën që flet aplikuesi”./koha.mk/