Në fillim të kësaj jave në disa pjesë të bulevardit “Ilinden” dhe “Iiiria” në Tetovë janë vendosur shenja komunikacioni të cilët sinjalizojnë stacione për ndalim të autobusëve.Këto shenja janë vendosur në vendet ku deri më tani është lejuar parkimi zonal me pagesë, por përveç shenjës se bëhet fjalë për stacion të autobusëve nuk ka asnjë sinjalizim horizontal dhe vozitësit vazhdojnë të parkohen aty duke mos qenë të informuar mirë se parkimi është i ndaluar. Ditëve të fundit, respektivisht pas vendosjes së sinjalizimit vertikal, shërbimi i merimangës i largon këto vetura, gjë e cila ka shkaktuar revoltë tek qytetarët, sepse dënimi që ata marrin është nga 45 deri 180 euro gjobë dhe 1800 denarë duhet të paguajnë për shërbimin e merimangës. Nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” thonë se janë në komunikim me komunën e Tetovës që të shënohet sinjalizimi horizontal dhe vozitësit të jenë më të informuar.Nga komuna e Tetovës thonë se pritet që të fillojë edhe shënimi i vijave me të cilët saktë do të përcaktohet vendi për nënstacion të autobuësve. Më tej kanë nga pushteti lokal apeluar deri tek vozitësit që të jenë të kujdesshëm se ku parkojnë veturat e tyre dhe kërkojnë që para se ti parkojnë veturat të shohin mirë shenjat e trafikut.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se në rastet e përcaktimit të stacioneve për autobusët ose vendosjen e shenjave, përgjegjëse është komuna dhe se në këto raste, komuna nuk duhet të merr leje por vetëm e njofton policinë. “Pjestarë të policisë nga Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor Tetovë, ndërmarrin masa dhe aktivitete sipas shenjave të vendosura të komunikacionit në zonën që mbulojnë, të cilat janë të vendosura sipas planit dhe nevojave për rrjedhë normale të komunikacionit, për çka njoftohet SPB Tetovë, gjegjësisht pëlqim nga SPB Tetovë kërkohet vetëm nëse ndryshohet regjimi i komunikacionit, kurse sa i përket pyetjes suaj në lidhje me shenjën vertikale të komunikacionit për vendndalim të autobusëve dhe mungesën e shënjimit horizontal të stacionit dhe shndërrimit të hapësirës së parkimit në vendndalim të autobusëve, kjo është nën kompetencë të pushtetit vendor dhe për të njëjtën do të drejtoheni tek ata” tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Dhe përderisa ende nuk ka shenja horizonatale se ky vend është stacion për autobusa, vozitësit ende parkojnë veturat e tyre, ndërsa kjo u shkakton probleme vozitësve të autobusëve, të cilët për zbritur dhe marrë udhëtarë në këto nënstacione duhet të ndalojnë në mes të rrugës duke shkaktuar probleme në mbarëvajtjen e trafikut.TV KOHA