Projektligji për arsimin e mesëm është në finalizim, tha në konferencën e sotme ministrja e Arsimit Vesna Janevska dhe pret që deri në fund të muajit të jetë gati dhe të kthehet në procedurë parlamentare, transmeton Portalb.mk.
“Jemi duke e finalizuar atë ligj. Gjithmonë mundet më mirë. Kemi disa nene që mendojmë se duhet t’i përsosim. Pres që ligji të jetë gati nga data 20 deri më 25 të këtij muaji dhe më pas do ta kthejmë në Kuvend”, tha ajo.
Ajo theksoi se me partnerët e koalicionit janë duke biseduar për dispozitën për intonimin e himnit kombëtar në shkolla, prandaj ky propozim ligj është tërhequr nga procedura parlamentare.
Ajo shtoi se si ministre përgjegjëse dhe si qeveri e përgjegjshme nuk do të lejojnë që politika të ndalojë proceset në arsim.
“Mendoj se nuk është gjë e madhe ta lëmë jashtë këtë nen, veçanërisht sepse në këtë vend askush nuk mund t’i ndalojë askujt të dëgjojë, të intonojë dhe të këndojë himnin e atyre që duan. Shpresoj që në kohë të ardhshme të gjithë do të ndihemi qytetarë të një vendi të vetëm. Dhe të gjithë do të respektojmë simbolet e shtetit tonë të përbashkët dhe se kjo nuk do të jetë problem”, thotë Janevska.
Javën e kaluar Janevska tha se qëllimi i projektligjit për arsimin e mesëm nuk ishte krijimi i tensioneve ndëretnike, por se partia BDI e përdori atë në mënyrën më të papërshtatshme për të futur problemet politike dhe etnike në ligjin për arsim.
“Ligji do të rikthehet edhe pa atë dispozitë nëse është e nevojshme. Por gjithsesi duhet të flasim edhe pak”, tha ministrja.
Projektligji për arsimin e mesëm ka kaluar në lexim të parë, por në seancën komisioni për fazën e dytë është tërhequr nga Kuvendi për shkak të amendamenteve të BDI-së, kundërshtimit të tyre ndaj njërës prej dispozitave që parashikon intonimin e himni kombëtar në shkolla. Më pas, ministria përkatëse e tërhoqi këtë projektligj, si propozuese e tij, me arsyetimin që politika të mos futet në arsim.
Në fund të vitit, Kuvendi miratoi pjesën tjetër të paketës së ligjeve në arsim, si Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, për tekstet në arsimin fillor dhe të mesëm, për arsimin e të rriturve dhe Ligjin për Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.
Kujtojmë që nismë për intonimin e himnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupot të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Ndërkaq në korrik të vitit 2024 Këshilli Komunal i Velesit vendosi që në vitin e ri shkollor 2024/25, çdo të hënë në turnin e parë dhe të dytë do të këndohet himni kombëtar i Maqedonisë së Veriut në fillim të mësimit në shkollat fillore.