Qytetarët gjithnjë e më shpesh po bien pre e mashtrimeve. Mashtruesit përmes telefonit tentojnë të marrin të dhëna të besueshme të qytetarëve. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është duke marrë masa për hetimin dhe menaxhimin e mashtrimeve telefonike.
“Mashtruesit shpeshherë paraqiten si përfaqësues të bankave, institucioneve publike ose kompanive për të mashtruar viktimat. Sektori i krimit kibernetik kreu kontrolle në lidhje me mashtrime telefonike dhe përcaktoi se mund të përdoren mjete të shumta për të manipuluar thirrjet, dhe atë: përmes thirrjeve të maskuara, ndryshimit të identitetit të telefonuesit duke pretenduar emrin e kompanive ose veprimtarive të ndryshme ose me vjedhje të numrit të telefonit”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Policia u bën apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë pranimit të thirrjeve apo mesazheve nga manipuluesit.
“Jini të kujdesshëm kur merrni telefonata nga numra të panjohur ose nga numra që paraqiten si institucione të besueshme. Asnjëherë mos i ndani me telefon informacionet personale, informacionet bankare ose fjalëkalimet. Nëse dyshoni se keni qenë viktimë e një mashtrimi të tillë, raportoni menjëherë rastin në stacionin më të afërt të policisë”, shtuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Këto lloj mashtrimesh tani më janë të njohura për institucionet kompetente, pasi kjo nuk është hera e parë që qytetarët mashtrohen në mënyra të ndryshme./Alsat.mk