Lajme nga bota
Biden zgjeron fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit në Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zgjeruar të mërkurën fushën e sanksioneve për kompanitë dhe njerëzit e përfshirë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo vlen për ata të cilët u nënshtrohen masave ndëshkuese amerikane për sfidimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, cenimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës, si dhe pjesëmarrjen në korrupsion të konsiderueshëm që cenon sundimin e ligjin dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane.
Me këtë urdhër ekzekutiv, Biden ka ndërmarrë hapa shtesë, duke ndryshuar dhe plotësuar tre urdhrat në lidhje me Ballkanin Perëndimor nga viti 2021, të cilat kanë të bëjnë me bllokimin e aseteve dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të njerëzit që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit, tha Shtëpia e Bardhë në një njoftim.
Rregullorja e vitit 2021 parashikon që sanksionet – bllokimi i aseteve dhe ndalimi i hyrjes në SHBA – të zbatohen për personat që janë direkt ose indirekt përgjegjës për veprimet dhe politikat që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të një zone ose një shteti në Ballkanin Perëndimor, minojnë proceset apo institucionet demokratike, shkelin të drejtat e njeriut apo përfshihen në korrupsion.
Sanksionet zbatohen ndaj njerëzve që, në mënyrë direkte ose indirekte, kanë marrë pjesë ose kanë tentuar të marrin pjesë në shkeljen, pengimin ose rrezikimin e zbatimit të sigurisë rajonale, marrëveshjeve të paqes ose marrëveshjeve për njohjen reciproke në Ballkanin Perëndimor, thuhet në njoftim.
“Këtu përfshihen Marrëveshja e Prespës e vitit 2018, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, Marrëveshja e Dejtonit, ose konkluzionet e Këshillit për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshilli për zbatimin e paqes ose Bordi i tij Drejtues ose Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, d.m.th., Mekanizmi Ndërkombëtar i mbetur për Gjykatat Penale”, thuhet tutje në njoftim.
Çfarë ka të re?
Rregullorja e re thekson se sanksionet zbatohen për këdo që Departamenti amerikan i Thesarit, në konsultim me Departamentin amerikan të Shtetit, përcakton të jetë drejtues, oficer ose anëtar i një njësie, duke përfshirë një ent qeveritar, i cili ka marrë pjesë ose ka tentuar të marrë pjesë në ndonjë prej aktivitetet e përcaktuara me rregulloren e mëparshme.
Masat do të vlejnë gjithashtu për personat që ndihmuan, sponsorizuan ose ofruan mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, ose mallra ose shërbime mbështetëse, për çdo person, pasuritë dhe interesat e të cilit në asete janë të bllokuara në përputhje me atë rregullore.
Ato vlejnë edhe për ata që konstatohet se zotërojnë ose kontrollojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, çdo person të cilit i bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.
Masat tani vlejnë edhe për bashkëshortët apo fëmijët e rritur të personave të cilëve u bllokohen pasuritë dhe interesat në pasuri në përputhje me rregulloren.
Biden theksoi në dekret se hapa shtesë po ndërmerren “në funksion të ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet e vazhdueshme të individëve për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor, për të minuar marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës, për t’u angazhuar në korrupsion të konsiderueshëm që minon sundimin e ligjit dhe besimin në qeverisjen demokratike dhe shmangien e sanksioneve të qeverisë amerikane”./REL/
Lajme nga bota
PËRMBYTJET, 19 VIKTIMA NË EUROPË, MË RËNDË PORTUGALIA, SPANJA DHE FRANCA
Dëmë të mëdha dhe humbje jetësh njerëzore janë shënuar si pasojë e stuhive të forta dhe të njëpasnjëshme në europën perëndimore. Rajoni i Gadishullit Iberik është ndër më të goditurit.
Në Portugali, të paktën 16 persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhiave dhe përmbytjeve, ndërsa një çift i moshuar rezulton i zhdukur.
Në Spanjë, një grua gjithashtu humbi jetën nga rrëzimi i një një çatie në Barcelona. Ka probleme të mëdha me përmbytjet në Madrid dhe Extremadura, ku shkollat vijojnë të jenë të mbyllura.
Në Francë, stuhia Nils shkaktoi vdekjen e dy personave, ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime për përmbytje, sidomos në Bretanjë dhe bregdetet perëndimore.
Në Itali, cikloni Harry shkaktoi dëme të mëdha në Kalabri, Sicili dhe Sardini, ku u shpall gjendja e emergjencës, pa raportime për viktima. Sipas ekspertëve, kjo valë e njëpasnjëshme stuhish shpjegohet nga mungesa e anticiklonit të Azoreve në vendin e zakonshëm, që lejon sistemet e ulëta atmosferike të lëvizin lirshëm drejt bregdetit perëndimor të Evropës.
Lajme nga bota
Pas dy raundeve takimesh në Abu Dhabi, ja kur priten të mbahen bisedimet e ardhshme SHBA-Rusi-Ukrainë
Raundi i ardhshëm i negociatave midis Kievit dhe Moskës për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë do të mbahet të martën dhe të mërkurën në Gjenevë, njoftoi Kremlini.
“Raundi i ardhshëm i negociatave do të mbahet më 17-18 shkurt në Gjenevë, gjithashtu brenda formatit trepalësh Rusi -Shtetet e Bashkuara-Ukrainë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, i cili ka marrë pjesë në disa raunde bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë.
Sakaq, Dmytro Lytvyn, një këshilltar i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, konfirmoi se delegacioni ukrainas po përgatitet për bisedime në Zvicër.
Presidenti ukrainas tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara kishin propozuar mbajtjen e raundit të ardhshëm të bisedimeve në Miami, pas dy takimeve në Abu Dhabi. Sipas Zelensky-t, Kievi e kishte pranuar “menjëherë” mundësinë e mbajtjes së bisedimeve në Florida.
“Për ne, nuk është e rëndësishme nëse takimi do të zhvillohet në Miami apo Abu Dhabi. Gjëja kryesore është që të sjellë rezultate”, tha ai.
Rusët, ukrainasit dhe amerikanët kanë zhvilluar dy raunde negociatash në Abu Dhabi në javët e fundit, ndërsa bombardimet e ashpra, vdekjeprurëse dhe shkatërruese ruse vazhdojnë, kryesisht kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas tha se Shtetet e Bashkuara dëshironin që lufta – më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – të përfundonte “deri në fillim të verës, në qershor”. Por negociatat duken të vështira, veçanërisht në lidhje me çështjen territoriale.
Lajme nga bota
Stuhi e fuqishme godet Francën, raportohet për dy viktima dhe mbi 400 000 banesa pa energji elektrike!
Rreth 450,000 banesa vijojnë të mbeten pa energji elektrike në Francë, pasi stuhia “Nils” goditi vendin.
Gjithashtu Franca jugperëndimore, u pëfshi nga erëra të forta dhe përmbytje të mëdha.
Departamentet e Gironde dhe Lot-et-Garonne mbeten nën gjendje alarmi të kuq për shkak të rrezikut të përmbytjeve të lumit Garonne, raportojnë mediat e huaja.
“Rajonet më të goditura janë New Aquitaine me 292,000 shtëpi dhe Oksitania me 153,000 shtëpi”, njoftoi Enedis, operatori kryesor i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Francë.

