Site icon Tetova Expres

Zllate Mehmedoviq:  Metapneumovirusi është virus i vjetër, nuk duhet pritur që të jetë një Kovid-19 i ri

Metapneumovirusi është virus i vjetër, nuk duhet pritur që të jetë një Kovid-19 i ri, deklaroi për MIA-n, zëdhënësi i Komisionit për sëmundje infektive, Zllate Mehmedoviq. Ai tha se nuk ka vend për panik as tek ne dhe askund.

“Virusi është i vjetër. Zakonisht qarkullon në muajt e dimrit. Nuk duhet të presim që ky të jetë një Kovid-19 i ri dhe nuk duhet të përhapet panik se kjo do të jetë diçka që do të ripërsëritet – ngjashëm me atë që ndodhi në vitin 2020 kur u përhap Sars-kov-2”, ka thënë Mehmedoviqi.

Vaksinë për këtë virus nuk ka, ndërsa shkalla e vdekshmërisë është jashtëzakonisht e ulët, shumë më e ulët se ajo e gripit. Komplikimet nga ky virus, shtoi ai, janë jashtëzakonisht të rralla.

“Zakonisht janë te fëmijët nën dy vjeç ose te personat me imunitet të dobët”, shtoi Mehmedoviqi.

Simptomat janë si gripi – sekrecion, kollitje, teshtitje, temperaturë trupore, dhimbje kyçesh. Metapneumovirusi zakonisht transmetohet përmes kontaktit të afërt, përmes prekjes së objekteve të kontaminuara dhe më pas prekje të gojës, hundës, syve. Zakonisht jep simptoma të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Advertisement

Mehmedoviqi ka konfirmuar për MIA-n se për momentin nuk ka paralajmërime për mbledhje të Komisionit për sëmundje infektive.

MIA paraprakisht njoftoi se në Greqi është regjistruar rasti i parë i këtij virusi. Në Selanik është konfirmuar rasti i parë me metapneumovirus HMPV, siç raportojnë mediat, tek një 71-vjeçar i cili është shtruar në spital. Sipas epidemiologëve grekë dhe ministrit të Shëndetësisë, nuk ka vend për panik, pasi siç sqarojnë ata, “bëhet fjalë për një virus që njihet prej mbi 20 vitesh”. Mediat greke raportojnë se burri është infektuar nga vajza e tij e cila ndodhej në Kinë për pushime, ku aktualisht ka një epidemi të metapneumovirusit.

Exit mobile version