Site icon Tetova Expres

Pas dy javësh pushim, deputetët të premten i rikthehen punës në Kuvend

Pas dy javësh pushim, deputetët të premten i rikthehen punës në Kuvend. Katër pikat e para të rendit të ditës janë interpelancat e ngritura nga Fronti Evropian, kundër zv.kryeministrit të parë Izet Mexhiti, zv.kryeministrit dhe ministrit për Marrëdhënie mes Bashkësive Ivan Stoillkoviq, ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, si dhe zv.ministrit të Brendshëm Astrit Iseni. Interpelancat erdhën pas tensioneve në fund të nëntorit vitin e kaluar, gjatë festimit të 28 nëntorit. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk pret që të kenë sukses këto interpelanca, ndërsa paralajmëron tentim për nxitje të mos tolerancës ndëretnike nga ana e opozitës.

“Pres sulme nga ana e opozitës. Do të polarizojnë. Pres që të nxitin ndjenja të mos tolerancës ndëretnike por mendoj se do të jetë e kotë dhe pa sukses. Ky tentim do të përfundojë si i pasuksesshëm. Pres kritika të pabaza dhe të cilat nuk kanë asnjë lidhje me realitetin por çfarë të bëjmë, opozita është e tillë për momentin. Shpresoj që nxjerrin mësim, shumë shpejtë të ristrukturohen me program dhe do të freskojnë kuadrot”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

Ndërkohë përpos interpelancave ndaj ministrave, si pikë e pestë e rendit të ditës do të jetë interpelanca kundër kryetares së Komisionit parlamentar të Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Ilire Dauti. Interpelanca është ngritur nga partia “E Majta”, me arsyetimin se Dauti disa herë si kryetare e komisionit, nuk i ka vendosur në rend dite propozim ndryshimet e ligjit për “branitellat”, edhe pse kjo vazhdimisht kërkohej nga deputetët e LSDM-së, VMRO-së por edhe “Të Majtës”. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ka njoftuar se për çdo interpelancë do të diskutohet veçmas, madje mund të diskutohet gjatë tërë ditës, varësisht prej asaj se sa deputetë do të paraqiten për fjalë. Megjithatë, deri në fund të ditës duhet patjetër të votohet.

Përpos Kuvendit, edhe institucionet tjera shtetërore patën disa ditë pushim gjatë ndërrimit të motmoteve, duke lidhur festën e Vitit të ri me Krishtlindjet./Alsat.mk

Exit mobile version