Site icon Tetova Expres

Mickoski: Nuk ka baza që Artan Grubi të fitojë azil politik

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk pret që ish-zëvendëskryeministri i arratisur
Artan Grubi të marrë azil politik nga një shtet tjetër, sepse mendon se është e qartë
se Grubi kërkohet për vepër kriminale. Sipas Mickoskit, procesi kundër Grubit nuk
ka prapavijë politike.
“Prokuroria ka nisur hetime ndërsa gjykata siç jam i informuar, ka caktuar
paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Pra, këtu nuk po flasim për arsye
politike, por padyshim ka diçka ndryshe nga politika, pra ekziston dyshimi i
bazuar për krim të kryer. Nuk pres që të ndodhë, por gjithsesi është vendim i
atyre që do të hynin në procedurë të tillë”, deklaroi Hristijan Mickoski
kryeministër.
Ndërkohë sa i përket Ligjit për Masat restriktive për personat në Listën e Zezë, të
cilin e kërkon BDI-ja, Mickoski thotë se nuk do të mbështetet ligj që është në
kundërshtim me kushtetutën dhe se ligjet e vendit janë të mjaftueshme për ndjekjen
e korrupsionit. Nga ana tjetër, opozita sërish e drejtoi gishtin kah paria në pushtet
duke theksuar se Grubi ka ikur me ndihmën e VMRO-DPMNE-së.
“VMRO-ja duhet të tregojë se cila është marrëveshja politike dhe çmimi për
lirimin e Grubit? Pse heshtin VMRO-DPMNE dhe Toshkovski për faktin se
“rastësisht” nuk funksionuan kamerat, “rastësisht” policia nuk dinte kë duhet
të kontrollonte, “rastësisht” kufitari gaboi, përndryshe staf i Toshkovskit.
Kufiri me Kosovën ka konfirmuar se meqenëse VMRO-DPMNE është në
pushtet është kanali kryesor i arratisjes së kriminelëve. Ndoshta ka ardhur
koha që të hapet plotësisht që të mos harxhohen para për mirëmbajtje, kështu
që qytetarët të kenë një lloj përfitimi”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e
LSDM-së.
Artan Grubi është larguar nga vendi më 15 dhjetor dhe autoritetet ende nuk bëjnë
të ditur nëse kanë informacione se ku ndodhet. Grubi është i dyshuari i dytë për
keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore në vlerën mbi tetë milionë euro. Përveç
Grubit, në këtë rast i përfshirë është edhe ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami,
i cili po ashtu është në arrati. TV KOHA
Exit mobile version