Ish-kryetari i fshatit Rilci të Bllagoevgradit, Zhivko Çukarski e ka pranuar fajin dhe ka lidhur marrëveshje me Prokurorinë e Qarkut në Bllagoevgrad për kryerjen e veprës penale të dokumentuar lidhur me regjistrimin e paligjshëm të shtetasve nga Maqedonia e Veriut, të cilët më pas janë pajisur me shtetësi të Bullgarisë.
Hetimi ka konstatuar se Çukarski ka përgatitur dhe nënshkruar 246 vërtetime për adresë të përhershme të vendbanimit për shtetasit maqedonas, pa qenë të pranishëm në fshat dhe pa i dorëzuar dokumentet e nevojshme për regjistrimin e adresës.
Në periudhën 2016-2019 në fshatin Rilci janë regjistruar mbi 4000 shtetas të Maqedonisë së Veriut, transmeton INA.
Sipas hetimeve, disa nga regjistrimet e adresave janë bërë në adresa inekzistente, madje edhe në fusha bosh pa ndërtesa.
Edhe pse një pjesë e madhe e shtetasve maqedonas të regjistruar fiktivisht tashmë janë çregjistruar nga fshati Rilci, problemi me adresat false në rajon vazhdon. Në fshatin fqinj, Belo Pole, janë ende mbi 10 mijë qytetarë maqedonas, të cilët vendasit nuk i kanë parë kurrë.
Maqedonasit ishin të ‘privilegjuar’ në marrjen e pasaportave bullgare”, raportojnë mediat bullgare, duke iu referuar deklaratës së një dëshmitari në hetim që është aktual në Bullgari, dhe në lidhje me skandalin me dhënien e shtetësive.
Një informacion i tillë është publikuar në televizionin kombëtar bullgar, ndërsa BTV thërret një dëshmitar që e njeh nga afër skandalin.
Sipas dëshmitarit, janë përfshirë mbi 100 “ndërmjetës” të cilët kanë mbledhur dokumente, kanë siguruar banesa fiktive dhe kanë ndërmjetësuar para institucioneve.(INA)