Ndotja e ajrit vret rreth 2800 qytetarë të vendit në vit, ndërsa banorët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike PM 2.5, krahasuar me qytetarët në vendet e Evropës Perëndimore. Kështu deklaroi dje drejtori i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci, në një konferencë në Shkup për cilësinë e ajrit, transmeton Portalb.mk.
Pavarësisht progresit që nga vitet 1990, ndotja e ajrit në vend është ende e lartë, tha ai, duke theksuar se ajri i shëndetshëm është vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i cili foli në konferencë, tha se sipas tij, faktori i parë për gjendjen e keqe të ajrit të ambientit është se amvisëritë dhe industria ende përdorin dru të cilësisë së ulët dhe burime të tjera për ngrohje, sidomos në stinën e dimrit.
“Ka edhe transport urban dhe një sërë arsyesh të tjera. Tashmë kemi miratuar dhe jemi duke punuar në një program specifik ku përveç gazifikimit parashikohen edhe sistemet e gazit të kogjenerimit. Për sa i përket gazifikimit, mendoj se është një nga zgjidhjet që do të ridrejtojë qytetarët drejt burimeve më pak të dëmshme apo të padëmshme të ngrohjes gjatë këtij sezoni. E njëjta gjë vlen edhe për transportin urban, pasi filluam me autobusët elektrikë… Po punojmë edhe për nisma dhe projekte të tjera. Pra, ne jemi të përkushtuar që të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për të arritur ajër më të pastër”, tha Mexhiti.
Ndryshe, më 16 dhjetor, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prezantoi Programin e ri për Planifikimin e Ajrit të Pastër 2024–2030, qëllimi i të cilit, siç tha në atë kohë, është zgjidhja e problemit të ndotjes së ajrit në Maqedonia e Veriut në planin afatmesëm dhe afatgjatë.
Profesori në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike – Shkup sqaroi se programi është përgatitur në bazë të hulumtimeve afatgjata, duke paralajmëruar kontrolle më të rrepta dhe më të drejta inspektuese për të gjitha objektet industriale.
Deri më tani, siç tha ai, ka ndodhur që ndotësit t’i drejtonin gishtin njëri-tjetrit, domethënë amvisëritë të thoshin se industria ndot, industria të fajësonte transportin dhe transporti të fajësonte dikë tjetër. Programi i ri, thotë ai, mbulon të gjithë ndotësit në zonat urbane në Maqedoni.
“Përveç kësaj, ne po planifikojmë kontroll të rreptë dhe të drejtë inspektues për të gjitha objektet industriale në vend, në mënyrë që emetimet të jenë publike dhe të gjithë të jemi të sigurt që ajo që transmetohet është e sigurt në nivel evropian. Ashtu siç themeluam institucione të fuqishme shkencore në vitin 1963, kur patëm problem me tërmetin, tani duam të mbështesim institucionet shkencore që të angazhohen në hulumtime për pastrimin e ajrit apo parandalimin e ndotjes së ajrit dhe e kemi paraparë një program të tillë”, shtoi Dimitrovski.
Zëvendëskryeministri Mexhiti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se inspektorët tashmë janë në terren dhe ka gjoba, por shtoi se duhet të rritet numri i tyre për të mbuluar të gjithë vendin.
Kujtojmë se ambientalistët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë ndalimin e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin EURO 5 nga 1 janari i vitit të ardhshëm. 10 shoqata dhe iniciativa qytetare kanë dorëzuar në Qeveri letër, ku kërkohet edhe që importi i automjetet e reja të plotësojë standardin minimal EURO 6.
Sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.