Sëmundja e murtajës tek përtypësit e vegjël është përhapur në shtetet fqinje, respektivisht në Greqi dhe Bullgari, ndërsa raste të këtilla janë hasur edhe në Rumani. Në vendin tonë, kjo sëmundje ende nuk është e pranishme, ndërsa autoritetet tashmë kanë filluar me takimet me blegtorët nëpër disa komuna për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundje. Përfaqësues të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, kanë qëndruar në Tetovë, ku blegtorëve individual dhe Shoqatave të Blegtorëve u është sqaruar për shenjat klinike që shfaq sëmundja, siç janë ethet, infeksione në sy, humbje të peshës, kurse sëmundja paraqitet tek kafshët e reja, qengjat dhe dhitë, e më pak tek delet.
“Për njerëzit nuk ka rrezik, por nëse kjo sëmundje paraqitet edhe në vendin tonë, pasojat do të jenë të mëdha, pasi do të ndalohet eksporti për dy vite”, tha Svetllana Kolariq, sekretar Shtetëror për Ushqim. Nga agjencia njoftojnë se veterinerët janë trajnuar fillimisht se si ta njohin këtë sëmundje, sepse sëmundja është e përafërt me sëmundjen e shapit. Prandaj, veterinerët janë të parët që e detektojnë dhe më pas i alarmojnë institucionet përkatëse, nëse ka raste të dyshimta.
“Qengjat janë prodhimi ynë strategjik dhe si shtet duhet që të kujdesemi, të marrim të gjitha masat dhe të parandalojmë paraqitjen eventuale të sëmundjes. Paraqitja e sëmundjes do të thotë humbje të mëdha ekonomike, ndërsa për momentin – numri i dhive dhe derrave është rreth 480 mijë dhe do të thotë ndalim të eksportit, ndalesë për lëvizje, asgjësim i tyre, ndalesë për eksportin e qengjit. Për momentin nuk kemi asnjë shenjë të kësaj sëmundje në vendin tonë, ky është takimi ynë i shtatë me fermerët dhe janë marrë masa hyrjen e kësaj sëmundje dhe përhapjen e saj në vendin tonë”, informoi Kolariq.
Përfaqësuesit e Kooperativave Bujqësore thonë se këto takime janë të mira për t’u informuar me qëllim që të parandalojnë përhapjen e sëmundjes në vendin tonë. “Ne ende nuk e dimë se çfarë simptoma kanë kafshët prandaj janë edhe këto takime me blegtorët që t’i informojmë nga afër, në bashkëpunim me institucionet shtetërore që janë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, që të parandalohet kjo sëmundje”, tha Naser Xhemaili, përfaqësues i Kooperativës Bujqësore “Sharri” në Tetovë. Gjatë takimit me blegtorët, janë dhënë edhe rekomandime se si të kujdesen për kafshët nga kjo sëmundje, duke përfshirë pastrimin, dezinfektimin, vaksinimin dhe kontrollim të tyre nga veterinerët.TV KOHA