Site icon Tetova Expres

Problemi i migrimit në Ballkan, konsiderohet ndër problemet më të mëdha të rajonit në vitet në vijim

Migrimi që ndodh për arsye të ndryshme në vendet e Ballkanit; Maqedoni e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë, Kroaci, Slloveni, Serbi dhe Mal të Zi konsiderohet ndër problemet më të rëndësishme të viteve të ardhshme.

Largimi i të rinjve nga vendet e tyre në rajonin e Ballkanit, veçanërisht për arsye të tilla si papunësia, problemet në ekonomi dhe arsim si dhe shqetësimet për të ardhmen, sjell me vete shqetësimin se rajoni do të presë gjithnjë e më shumë një “popullsi të moshuar”.

– Maqedoni e Veriut

Profesori universitar Bujamin Bela në një deklaratë për Anadolu u shpreh se në përgjithësi, migrimi si fenomen është në rritje e sipër, qoftë për Maqedoninë e Veriut, qoftë për vendet e rajonit. Ai thekson se në aspektin global ka mbi 20 milionë njerëz të cilët migrojnë, e gjitha kjo sipas tij, si pasojë e globalizmit dhe lëvizjes së lirë të njerëzve që për arsye të ndryshme migrojnë nga një vend në një vend tjetër.

Profesori Bela shprehet se ndikim të madh ka edhe informimi, duke theksuar se njerëzit shumë më lehtë marrin informacione se si jetohet në vendet e BE-së.

Advertisement

“Shohim arsye të ndryshme pse njerëzit migrojnë nëpër këto vende. Një ndër ta është edhe mungesa e fuqisë punëtore në vendet e BE-së në veçanti. Shohim se mbi 14 mijë leje pune jepen brenda vitit që janë potencial për vendet e Ballkanit dhe në veçanti për Maqedoninë e Veriut. Shihet, me një përqindje shumë të lartë, diku 28 për qind e këtyre vendeve mbulohen nga Maqedonia e Veriut”, thotë profesori Bela.

Duke folur mbi statistikat lidhur me Maqedoninë e Veriut, ai tha se mërgata e vendit vazhdon të shënojë rritje dhe ka arritur në rreth 700 mijë persona.

“Disa nga statistikat të cilat i pashë nëpër raporte të ndryshme, flitet se që nga viti 2005 e këtej, në vazhdimësi në çdo pesë vite shihet se numri i emigrantëve që shkojnë nga Maqedonia e Veriut shkon në rritje e sipër. Që nga 400 mijë fillestare, ka arritur deri në rreth 700 mijë, 693 mijë persona të cilët janë pjesë e mërgatës sonë”, thotë Bela, duke shtuar se nga ana tjetër, numri i banorëve në Maqedoninë e Veriut shënon rënie dhe projeksionet flasin se kjo rënie do të vazhdojë.

Profesori Bela sqaron edhe faktorët që ndikojnë në migrimin e njerëzve nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar se vendet ballkanike në përgjithësi kanë përjetuar tranzicion të stërzgjatur me një sistem relativisht të korruptuar, me papunësi dhe me humbje të besimit ndaj institucioneve.

“Shohim si fenomen në kohët e fundit se nuk janë vetëm kushtet ekonomike apo aspektet ekonomike ato të cilat shtyjnë për të bërë migrim, por aspektet sociale, psikologjike, arsimore”, thotë Bela.

Advertisement

Në rast të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian (BE), ai beson se do të ketë investime më të mëdha në këto sfera dhe do të ulen oportunitetet për të vazhduar ky lloj i migrimit.

“Migrimi në të kaluarën ka qenë vetëm nga shkalla e të punësuarve të pakualifikuar të cilët kanë migruar. Shohim në kohët e fundit se pjesa më e madhe e migrimit vjen nga një strukturë tjetër, e kualifikuar, me karriera të dyfishta ku bashkëshortët të dy punojnë, nuk është problemi vetëm i pagës ose i të mirave materiale, por vendosin të migrojnë për arsye të cilat i potencova edhe më herët”, thotë profesori Bela, duke shtuar:

“Në qoftë se ne si shoqëri, si shtet, arrijmë që t’i minimizojmë këto oportunitete, atëherë besoj që edhe vendimmarrja për t’u shpërngulur do të jetë më e vështirë dhe do të parandalojmë disi këtë fenomen”.

Exit mobile version