Punimet rreth ndërtimit të Korridorit 8 nga Gostivari deri në Bukojçan po zhvillohen me ritëm të përshpejtuar. Aktualisht punohet në kilometrin e 7 nga Gostivari, ndërsa zhvillohen punime në gërryerjen e malit si dhe ndërtimin e shtyllave mbajtëse të urave. Nga kopmania Bektel- Enka njoftuan se korridori 8 është i ndarë në katër seksione. Seksioni i parë është Tetovë-Gostivar, i dyti Gostivar –Bukojçan, i treti është pjesa e Prilepit dhe seksioni i katërt Strugë-Qafë Thanë. Sipas përfaqësuesve të kompanisë për momentin janë duke u ndërtuar dy ura, një në kilometrin e 5 dhe një në kilometrin e 7, ndërsa për një kohë të shkurtër do të fillohet me ndërtimin e urës në kilometrin e tetë. Korridori 8 ka gjithsej 110 kilometra. Sipas marrëveshjes konsorciumi Bektel-Enka duhet t’i përfundojë korridoret për 4 vite e 7 muaj.
“Tani jemi në seksionin e dytë. Projekti ka katër seksione por seksioni i parë dhe i dytë janë të lidhur mes veti, seksioni i katër e dini se është ne pjesë tjetër. Ajo që bëhet tani, është zhvillimi i punimeve për urën shtat që shihni pas meje. Në kuadër të aktiviteteve, jemi duke bërë gërryerje që do përdoren për shtrim dhe ngritje të pjesëve të që janë të ulëta apo ndërtimin e urave. Po ashtu punojmë edhe në mbrojtje sepse shihni që presim disa male këtu, dhe ndërtojmë urat andaj duhet mbrojtje”, deklaroi Joseph Chuva, Supervizor. /Alsat.mk