Site icon Tetova Expres

Euroambasadori, Rokas: Presim nga gjyqësori të veprojë ndaj çështjeve të korrupsionit, përfshirë Grubin dhe Bexhetin

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut duhet të merr masa për të gjitha çështjet e korrupsionit. Kështu tha euroambasadori në RMV Mihailis Rokas kur u pyet për qëndrimin e BE-së për futjen e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në Listën e Zezë Amerikane, shkruan Portalb.mk.

“Ne e marrim parasysh këtë listë të zezë të SHBA-ve. Mendoj se ajo që ka rëndësi është që gjyqësori këtu në vend të marrë masa jo vetëm për këto çështje të veçanta, por për çdo çështje të korrupsionit në vend”, tha Rokas.

Ai tha se Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, i forcuar

“Ka shumë rekomandime nga BE-ja, duke përfshirë mekanizmin e rishikimit ku kemi pasur 40 rekomandime se si mund të sigurojmë që gjyqësori të mund të forcohet dhe të jetë plotësisht i pavarur për të vepruar dhe kryer rolin e tij. Ky është një prioritet kryesor për anëtarësimin e ardhshëm të vendit në BE, një gjyqësor i pavarur dhe i fortë është platforma që do t’i lejojë vendit të ecë përpara dhe të përparojë. Shpresojmë që kjo të arrihet në muajt në vijim”, tha Rokas.

I pyetur për bastisjen e Policisë në Këshillin Gjyqësor e cila u krye me urdhër të Prokurorisë Publike, Rokas tha se Prokuroria Publike ka gjithmonë mundësinë në një sistem gjyqësor të pavarur dhe të fuqishëm për të kryer hetimet e nevojshme për çdo rast

Advertisement

“Nuk mund të komentoj për çdo akt individual, por është thelbi i një demokracie funksionale kur prokuroria publike nga njëra anë ka të gjitha mjetet në dispozicion për të bërë hetimet e nevojshme nëse ka ndonjë pretendim për korrupsion apo probleme të ngjashme”, tha Rokas.

Brukseli edhe në raportin e e fundit të progresit ka përsëritur kërkesën për largimin e “duarve” të ekzekutivit nga pushteti gjyqësor. Këto kritika ishin adresuar edhe në raportin e vitit paraprak, prandaj rekomandimet për përmirësim të situatës mbeten të njëjta edhe këtë vit. Sistemi gjyqësor vlerësohet si i përgatitur në mënyrë të moderuar dhe madje me përparim shumë të kufizuar .

Më 9 dhjetor 2024, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë futur në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar.

Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, i cili gjithashtu është në Listën e Zezë.

Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi i Apelit Enver Bexheti janë cilësuar publikisht për përfshirje në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për të çrregulluar procedurat gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit.

Advertisement

Më 11 dhjetor 2024 Prokuroria Publike ka hapur lëndë kundër Artan Grubit, gjyqtarit Enver Bexheti, si dhe të tjerëve që janë vendosur në listën e zezë të SHBA-ve.

Më 12 dhjetor 2024 Artan Grubi njoftoi se do të tërhiqet nga jeta publike.

Këtë vit në listën e zezë amerikane u shtuan: ish prokurorja Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të: kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merko , ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmeni Orce Kamçev dhe familja e tij, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë si dhe kompania “Cytrox“. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.

Kujtojmë që propozim Ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.ina-online

Advertisement
Exit mobile version