Site icon Tetova Expres

Ligji për përdorimin e gjuhëve para gjykatësve kushtetues

Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtoj kushtetutshmërinë e disa dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilin rregullohet edhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Lënda është formuar nga iniciativat që kontestojnë kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkohë që në seancën e sotme të Gjykatës Kushtetuese pritet të miratohet vendimi nëse do të shfuqizohet plotësisht ligji, pjesërisht apo do të lejohet që të vazhdojë të përdoret siç është aktualisht.

BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u tha liderëve partiakë që të përmbahen nga komentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për gjuhët, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski në një porosi për qytetarët tha që të mos bien pre e provokimeve të BDI-së, që siç tha ai, “sillen si brejtës politikë”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në tubimin para Gjykatës Kushtetuese kërkoi nga gjykata që të hedh poshtë 13 iniciativat e iniciuara për kontestimin e dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Advertisement

“Asnjëherë nuk kemi kontestuar, as gjuhën e bashkëqytetarëve, as historinë e bashkëqytetarëve, prandaj mos i prekni në palcë shqiptarët, sepse edhe durimi ka një fund. Kështu që larg duart nga ndryshimi i ligjit të gjuhës, po të ishit politikanë të mirë dhe me vizion, do ta avanconit këtë gjuhë, por jo edhe ta cungoni”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkohë nga VLEN, të cilët janë pjesë e Qeverisë, thonë “që qytetarët të rijnë të qetë pasi nuk do të preket gjuha shqipe”.

“Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rremë si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq”.

“Kjo parti, (duke aluduar në BDI-në), së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe. Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish funksionarët e tyre të korruptuar”, ka thënë Saranda Imeri- Stafaj nga koalicioni VLEN.

Ndryshe, lënda e Ligjit për gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme, ndërsa është formuar në vitin 2019 dhe është aktualizuar këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Advertisement
Exit mobile version