Site icon Tetova Expres

Inspektorati i shqipton vërejtje Minçevit për mosrespektim të Ligjit për Përdorim të Gjuhëve

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve i ka shqiptuar vërejtje ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, pas denoncimit të Televizionit Alsat se ministria nuk e respekton Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Inspektorati, pas denoncimit inspektorët kanë kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme në ministri dhe kanë konstatuar se e njëjta nuk komunikon me mediat në dy gjuhë dhe gjithashtu komunikatat i publikon në ueb-faqe vetëm në maqedonisht.

Sipas Inspektoratit, Ministria ka vepruar në kundërshtim me nenin 1 paragrafin 2 dhe 3, nenin 2 paragrafin 3 dhe në lidhje nenin 6 paragrafin 4 të Ligjit për përdorimin e Gjuhëve.

Me këtë, Ministria ka shkelur dispozitat kryesore që rregullojnë përdorimin zyrtar të gjuhës që e flasin së paku 20% e popullatës së Maqedonisë së Veriut, në institucionet shtetërore, respektivisht gjuhës shqipe.

Për shkeljen e këtyre dispozitave, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve madje parashikon, deri në 5.000 euro për institucionin, ndërkaq për personin zyrtar dhe përgjegjës në vlerë prej 30% nga gjoba e përcaktuar.

Advertisement

Nga Inspektorati thonë se janë informuar nga Ministria e Administratës se po përgatisin ueb-faqe të re, me këtë rast Inspektorati i ka sugjeruar që faqja e re do të jetë në përdorim zyrtar, e njëjta duhet të jetë krahas maqedonishtes edhe në shqip.

Inspektorati, ministrit Minçev i ka dhënë afat për t’i mënjanuar parregullsitë dhe mangësitë e konstatuara, por që në njoftimin e Inspektoratit nuk shpjegohet për periudhën kohore të këtij afati.

Alsat, në nëntor dorëzoi nismë ndaj Minçevit pasi Ministria e Administratës e ka zhdukur nga përdorimi shqipen, si në komunikimin me mediat, ashtu edhe në ueb-faqen aktuale, e cila paraprakisht ka qenë e Ministrisë së Shoqërisë Informatike.

Në një konferencë për media, madje Minçev i bëri një interpretim kreativ Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Deklaroi, se shqipja në komunikata do të përdoret sipas nevojës dhe me kërkesë.

“Kumtesa do t’i dërgojmë në gjuhën maqedonase, ai që do të kërkojë për nevojat e tyre do të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”, theksoi Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.

Advertisement

Megjithatë, Minçev u lavdërua se e respekton Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, pasi mbishkrimin në kabinetin e tij, e ka edhe në shqip.

“Nëse mund të hetoni ose nëse vini në kabinetin tim këtu keni edhe në shqip edhe në maqedonisht, titulli i ministrisë”, tha Goran Minçev, ministër i Administratës.

Që nga miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve në vitin 2019, pavarësisht qindra shkeljeve të konstatuara nuk është shqiptuar asnjë gjobë. /Alsat.mk

Exit mobile version