Nuk duhet të lejojmë që kryetarët e komunave të bëhen sundimtarë lokal, as statistë në procese, por faktorë zhvillimi dhe zgjidhjeje të problemeve. Kështu ka thënë sot kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski në konferencën vjetore të Vetëqeverisjes lokale dhe decentralizimit në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, e titulluar “Drejt vetëqeverisjes së qëndrueshme lokale: sfida, mundësi dhe strategji për të ardhmen”.
“Ne tregojmë me shembull se punojmë për të gjitha komunat. Përmes Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale menaxhohet një proces i cili si Qeveri e realizojmë për 250 milionë euro investime kapitale, ku mjete kanë marrë të gjitha komunat që kanë plotësuar kushtet, duke treguar se për ne prioritet është zhvillimi lokal”, nënvizoi ai.
Kryeministri theksoi se vetëqeverisja lokale është zemra e zhvillimit lokal. Ajo është këtu, tha, për të njohur dhe plotësuar nevojat e secilit qytetar, për të përmirësuar jetën në komunat tona dhe për të ofruar shërbime të cilat janë të shpejta, efikase dhe të arritshme për të gjithë.
Vizioni, është, nënvizoi ai, të ndërtohet një vetëqeverisje lokale që do të jetë partner i vërtetë i secilit qytetar. Të krijohen kushte ku komunat nuk do të jenë thjesht administratorë, por protagonistë aktivë të rritjes ekonomike, të inovacionit dhe kohezionit social.
“Gjërat që i trashëguam në aspektin e vetëqeverisjes lokale dhe atë që qeveritë e mëparshme kanë ndërmarrë në këtë drejtim, mund të them se nuk janë të mira. Për një kohë të gjatë, komunat kanë qenë objekt i një tregtie politike dhe mbështetja e pushtetit qendror është varur ekskluzivisht nga fakti nëse udhëheqësit e njësive të vetëqeverisjes lokale bashkëpunojnë me ato të pushtetit qendror. Prandaj, do të kujtoj se si ish lider i opozitës, kam njohuri me atë që kanë kaluar krerët e komunave në këtë drejtim”, theksoi ai.
Dhe në këtë drejtim, theksoi, çmimin më të madh e kanë paguar qytetarët.
Duhet të them se kjo mbetet në të kaluarën dhe nëse duam zhvillim, ai do të jetë i plotë me të gjithë aspektet dhe faktorët e përfshirë në të. Po bëjmë përpjekje të konsiderueshme për të forcuar rolin e autoriteteve lokale. Përmes decentralizimit financiar, investimeve në infrastrukturë dhe digjitalizimit të shërbimeve, treguam për një periudhë të shkurtër se zhvillimi i vetëqeverisjes lokale është prioriteti ynë”, nënvizoi Mickoski.
Por, shtoi kryeministri, ka mbetur ende shumë punë.
“Para nesh është sfida për të siguruar transparencë të plotë, llogaridhënie dhe qasje të barabartë në të gjitha burimet. Vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe partneritet mes pushtetit qendror dhe atij lokal mund të ndërtojmë komuna që do të jenë shembull për një model të mirë qeverisjeje”, tha ai.
Mickoski përkujtoi se Ministria e Vetëqeverisjes lokale ka filluar procedurën konsultative për ligjin e ri për vetëqeverisje lokale, me çka, siç tha, “do të tejkalohen të gjitha mangësitë dhe do të inkorporohen përvojat nga praktika”.
“Vetëqeverisja lokale nuk është vetëm një nivel pushteti. Ajo është simbol i përpjekjes sonë të përbashkët për një jetë më të mirë. Ajo është instrumenti përmes të cilit qytetarët realizojnë fuqinë dhe vizionin e tyre për një të nesërme më të mirë. Ejani të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve politike, etnike apo gjeografike, të kontribuojmë për të ndërtuar komuna të forta dhe të suksesshme që do të jenë krenaria e shtetit tonë”, potencoi kryeministri.
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski tha se krijimi i një vetëqeverisje lokale më funksionale, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe ndërtimi i partneritetit dhe besimit me qytetarët janë prioritetet kryesore të kësaj Qeverie. Prandaj, theksoi, ka përkushtim maksimal për të mbështetur zhvillimin e vetëqeverisjes lokale.
Perinski shtoi se sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen komunat janë identifikuar që në fillim. Ai mbajti fjalim edhe për financimin e 274 projekteve kapitale të infrastrukturës, ndërsa për mbështetjen direkte tha se do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Për, siç shtoi, zhvillim infrastrukturor dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.
Perinski gjithashtu foli edhe për procesin e iniciuar për promovimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale me qëllim që të rikthehet mundësia e shkarkimit të një kryetari të komunës. Të sigurohet, siç tha ai, një mekanizëm për forcimin e rendit dhe mbikëqyrjes komunale, si dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje që është kuptimi i vetëqeverisjes lokale.
Në periudhën në vijim, ministri tha se theksi është vënë në Qendrën e resurseve për mbështetjen e komunave dhe për digjitalizimin e tyre.