Site icon Tetova Expres

Në pesë vitet e fundit, 10 kompani kanë marrë tenderë shtetëror në vlerë prej 1 miliardë euro

Në pesë vitet e fundit në RMV janë lidhur kontrata të prokurimit publik me vlerë të përgjithshme prej 5.8 miliardë euro, ndërsa 36% e tyre, pra 2.1 miliardë euro u kanë takuar vetëm 50 kompanive.

Sipas hulumtimit Qendrës për Komunikim Qytetar, 10 kompanitë e para në krye të kësaj liste kanë marrë tenderë me vlerë 1 miliard euro.

“Në listën e fituesve më të mëdhenj të tenderëve janë kompanitë e ndërtimit, tregtarët me shumicë, distributorët e derivateve të naftës etj. Për disa prej kompanive që janë në listën e 50 fituesve më të mëdhenj të tenderëve, pothuajse i gjithë biznesi i tyre qëndron në kontratat e prokurimit publik”.

“Në 10 kompanitë e para janë Markovski Company Bitola, Dr. Panovski, Pucko Petrol, Alkaloid Cons, Energy Delivery Solutions, Makpetrol, Ilinden AD Struga, Granit AD Skopje, Makedonski Telecom dhe Stanton Gradba Manastir”, thonë nga Qendra.

Sipas tyre, kompania e parë “Markovski” për 5 vite ka lidhur gjithsej 77 kontrata për prokurim publik në vlerë prej 151 milionë euro. Ndërsa me ndërmarrjen shtetërore “AD Elektranat” janë lidhur 66 tenderë me vlerë 141 milionë euro.

Advertisement

I pozicionuari i dytë Dr. Panovski në periudhën e analizuar pesëvjeçare ka lidhur 1491 kontrata në vlerë prej 144 milionë euro.

E treta është Pucko Petrol nga fshati Plasnicë me 1776 kontrata të lidhura në vlerë prej 137 milionë euro.

Kompanitë që kanë marrë vlerën më të lartë të tenderëve në 5 vitet e fundit, në pjesën më të madhe janë nga vendi dhe kanë zënë 95% të vlerës së tenderëve. Vetëm 5% janë marrë nga kompani nga jashtë. Në të njëjtën kohë, deri tani pjesëmarrjen më të madhe e kanë kompanitë nga Shkupi, pasuar nga ato nga Manastiri.

Sipas aktivitetit, 39% e vlerës së kontratave i takon ndërtimit, ku përfshihen edhe kontratat e “AD Elektranat” për përdorimin e makinerive dhe punëtorëve për nxjerrjen e qymyrit. Në vend të dytë renditen tenderët për prokurimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore me vlerë 559 milionë euro ose 27%. Në vend të tretë renditen derivatet e naftës me vlerë 297 milionë euro ose 14%. Të gjitha kompanitë e tjera, sipas aktivitetit, kanë një peshë nën 10%.

Advertisement
Exit mobile version