Kryeministri i Katarit dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani deklaroi se pengjet në Gaza do të bashkohen me familjet e tyre përmes negociatave dhe jo luftës, transmeton Anadolu.
Në intervistën për kanalin britanik “Sky News”, Al Thani u pyet në lidhje me deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken se ata mund t’i jepnin këshilla Izraelit në vend që të bënin presion mbi të.
Duke thënë se Katari dhe SHBA-ja kanë punuar ngushtë për çështjen e Gazës, Al Thani tha se “Kishte momente kur presioni ishte i nevojshëm dhe u zbatua” dhe shtoi se vështirësitë që ata i shihnin si palë negociatore dhe ndërmjetëse nuk u panë nga të gjithë.
Al Thani iu përgjigj kritikave lidhur me praninë e një zyre të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke thënë se “Prania e Hamasit në Doha është plotësisht transparente dhe e koordinuar. Ajo doli me dëshirën e Izraelit dhe SHBA-së për ta përdorur atë si një platformë negocimi”.
“Kjo zyrë mundësoi nënshkrimin e shumë armëpushimeve dhe uli tensionet në shumë raste”, tha Al Thani i cili shtoi se e gjithë mbështetja që i është dhënë Gazës është dhënë me koordinimin e SHBA-së, Izraelit dhe OKB-së.
Ai potencoi se ky rol i Katarit është i domosdoshëm për rajonin. “Shpresoj që e gjithë bota të kuptojë se 109 pengjet do të kthehen në familjet e tyre jo me forcë ushtarake, por falë kësaj zyre, përmes negociatave”, tha Al Thani.
– “Nuk e kemi pritur që bota do të qëndronte e heshtur për ndodhitë në Gaza”
Duke iu referuar deklaratës së Emirit të Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani për “gjenocid” lidhur me atë që po ndodhë në Gaza, kryeministri Al Thani tha: “Ne kurrë nuk prisnim që bota të qëndronte e heshtur për atë që po ndodhë në Gaza. Kjo është shumë e trishtueshme dhe për të ardhur keq jo vetëm për Katarin, por edhe për njerëzit e të gjithë rajonit dhe botës”.
Në përgjigje të pyetjes për politikat e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump në lidhje me Iranin, Al Thani tha se problemet që lidhen me Iranin mund të zgjidhen vetëm përmes negociatave.
Ai thekson se presidenti dhe ministri i Jashtëm i Iranit janë të gatshëm të takohen me Trumpin.
Kryeministri i Katarit, Al Thani tha se shpreson në një armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve në Gaza, përpara ceremonisë së inaugurimit të Trumpit më 20 janar.