Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Maqedoninë e Veriut ka konstatuar keqpërdorime të shumta në disa objekte shëndetësore në vend.
Drejtori i këtij fondi, Sasho Klekovski, në një intervistë për Alsat ka thënë se ndaj 6 drejtorëve janë ngritur kallëzime penale.
Klekovski pret që prokuroria të veprojë shpejt, duke shtuar se ka kontaktuar disa herë me autoritetet për të pyetur se deri ku kanë shkuar hetimet.
Kallëzim penal është kundër drejtorit të një objekti shëndetësor në Tetovë dhe pesë drejtorëve të objekteve shëndetësore nga Shkupi.
Klekovski sqaroi se bëhet fjalë për keqpërdorime individuale dhe strukturore.
Problem i madh me të cilin ballafaqohen objektet shëndetësore është borxhi, i cili sipas kreut të FZO-së arrin në 5 miliardë denarë. (INA)