Site icon Tetova Expres

Në 30-vjetorin e Universitetit të Tetovës, Fakulteti i Arteve e hapi ekspozitën “30 Vjet Art”

Në kuadër të përvjetorit të 30-të të Universitetit të Tetovës, një sërë aktivitetesh dhe ngjarjesh festive janë organizuar për të shënuar këtë moment të rëndësishëm. Njëra prej këtyre ngjarjeve është edhe ekspozita grupore e mësimdhënësve të Artit Figurativ nga Fakulteti i Arteve, e cila u realizua, më 26 nëntor 2024, në galerinë “Çifte Hamam” në Shkup. Ky aktivitet është organizuar në përkujdesjen e kuratores Prof. Dr. Jëlldëz Asani dhe kritikut të artit Prof. Dr. Mixhait Pollozhani, si pjesë e pandashme e këtij jubileu të rëndësishëm për Universitetin e Tetovës.

Këtë event me prezencën e tij e nderoi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i cili i përshëndeti mësimdhënësit për këtë organizim madhështor për nder të 30-vjetorit të Universitetit të Tetovës. Ky jubile, në thelb, është një dëshmi e fuqishme e angazhimit të Universitetit për arsimin e lartë dhe një thirrje për të gjithë ata që janë pjesë e tij, për të vazhduar të punojnë me pasion dhe përkushtim, duke kontribuuar për një të ardhme akoma më të ndritur.

Fjalë rasti pati edhe njëri nga themeluesit e Fakultetit të Arteve, profesor Miftar Memeti i cili foli për sfidat dhe sukseset e Fakultetit ndër vite.

Po ashtu edhe profesor Mixhait Pollozhani duke u bazuar në vështrimin e përgatitur në parathënien e katalogut, shkurtimisht diskutoi mbi konceptet dhe idetë që qëndrojnë pas punimeve të realizuara për ekspozitën nën moton “30 Vjet Art dhe Art”

Ndërsa profesoresha e Historisë së artit, Jëlldëz Asani si kuratore dhe koordinatore e ekspozitës theksoi se ky event është një moment i veçantë, pasi për herë të parë janë bashkuar të gjithë artistët e artit figurativ të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë – “Çifte Hamam”, edhe pse secili prej tyre ka pasur ekspozita individuale në galeri prestigjioze nëpër botë. Po ashtu ana tjetër e mirë e kësaj ekspozite lidhet me strukturën e pjesëmarrësve prej tre brezash artistësh, disa prej të cilëve janë themelues dhe ndërtues të këtij institucioni të shenjtë arsimor, kurse pjesën tjetër e përbëjnë krijues dhe mësimdhënës që gjatë këtyre 30 viteve të kaluara kanë dalë nga dyert e Universitetit të Tetovës.

Advertisement

Për ta prezantuar veten dhe Fakultetin në mënyrën më dinjitoze, mësimdhënësit vendosën që veprat të jenë në përputhje me karakterin stilistik dhe dorëshkrimin e tyre krijues. Veprat brenda mureve të galerisë “Çifte Hamam” reflektojnë një manifestim të jetës, përpjekjeve njerëzore dhe evolucionit të artit dhe krijimtarisë. Ekspozita është një rezultat i dinamizmit të krijimtarisë, pasioneve që lidhen me identitetin kulturor dhe artistik, dhe një thirrje për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë.

Pra me këtë event, ne dëshirojmë të tregojmë se mësimdhënësit e Fakultetit të Arteve synojnë të arrijnë të njëjtat ideale si themeluesit tanë—të jemi një krenari e kombit. Prandaj, le të jetë kjo ekspozitë një shprehje e përkushtimit tonë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave tona kulturore dhe kombëtare, si dhe një burim frymëzimi për brezat e rinj në zhvillimin e rrugëtimit të tyre artistik.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Kenan Ferati, dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, mësimdhënësit e Fakultetit të Arteve, si dhe artdashës dhe studentë të cilët i dhanë jehonë të madhe aktivitetit në fjalë.

Exit mobile version