Site icon Tetova Expres

Dimitrieska-Koçoska në Forumin global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore në OECD

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska është pjesëmarrëse në Takimin plenar të Forumit global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore, që mbahet nga dita e sotme deri më 29 nëntor në Paraguaj dhe i dedikohet zbatimit global të standardeve ndërkombëtare për transparencën tatimore dhe progresin e vendeve, si dhe sfidave me të cilat përballen vendet gjatë zbatimit të standardeve. Ministrja është pjesëmarrëse e këtij forumi, e shoqëruar nga sekretarja shtetëore e MF-së, Andriana Matlioska.

Në panelin e diskutimit, ministrja Dimitrieska-Koçoska do t’i trajtojë prioritetet, përvojën dhe sfidat në zbatimin e Standardit të Shkëmbimit Automatik të Informacioneve (AEOI), i cili është mjet kryesor për juridiksionet, përkatësisht shtetet, në luftën kundër evazionit fiskal dhe mbrojtjen e integritetit të sistemeve të tyre tatimore.

Në këtë takim, Sekretariati i Forumit global do ta paraqes përkrahjen e dhënë ndaj anëtarëve në procesin e zbatimit të standardeve. Forumi global përbëhet prej mbi 170 juridiksione, ku përfshihen vendet e grupit G-20, qendrat financiare dhe shumica e anëtarëve janë vende në zhvillim. Të gjithë anëtarët punojnë së bashku, në nivelin e njëjtë, në luftën kundër evazionit tatimor ofshor.

Detyra më e rëndësishme e Forumit global është zhvillimi i kapaciteteve për përkrahjen dhe mundësimin e zbatimit të shpejtë dhe efektiv të standardeve të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve nga të gjithë anëtarët, veçanërisht vendet në zhvillim.

Përkatësisht, Republika e  Maqedonisë së Veriut është në proces të zbatimit të standardeve për shkëmbimin automatik të informacioneve. Standardi AEOI i referohet shkëmbimit vjetor të informacioneve për llogaritë financiare të jorezidentëve në një format të paracaktuar, ndërsa këta informacione të shkëmbyera përfshijnë detajet e llogarisë financiare (për shembull, institucioni financiar që e posedon atë, numri i llogarisë dhe gjendja e llogarisë) dhe të dhënat e poseduesit të llogarisë (p.sh.: emri, adresa, data e lindjes dhe numri i identifikimit të obliguesit tatimor).

Advertisement

Zbatimi i Standardit AEOI kërkon që juridiksionet të mbledhin informacione nga institucionet e tyre financiare çdo vit dhe në mënyrë automatike t’i shkëmbejnë ato me juridiksionet ku poseduesi i llogarisë është tatimpagues rezident.  Për shkëmbim të suksesshëm të informacioneve është e nevojshme infrastruktura juridiko-ligjore dhe administrative.

Propozimligji i Bashkëpunimit Administrativ është në fayë hartimi, me të cilin, mes të tjerash, do të përcaktohen dispozitat për shkëmbimin automatik të informacioneve për llogaritë financiare dhe për shkëmbimet automatike të informacioneve për raportet sipas vendeve.

Me këtë ligj, do të vendoset korniza juridike konkrete që do të kontribuojë në përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave tatimore dhe rrjedhimisht në luftën kundër evazionit tatimor ndërkufitar dhe evazionit tatimor, rritjen e arkëtimit tatimor, si dhe përforcimin e luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Forumit global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore në OECD, që nga muaji janar i vitit 2011.

Advertisement
Exit mobile version