Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska u bën thirrje autoriteteve të qytetit urgjentisht të gjejnë zgjidhje adekuate për transportin publik të qytetit. Sipas analizës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës nga E-ditari, siç deklaroi Janevska, nuk ka dallim të konsiderueshëm në mungesat e nxënësve.
“Supozoj se nxënësit dhe prindërit organizohen në mënyrë më të mirë të mundshme që fëmijët e tyre të arrijnë në shkollë, por edhe mësimdhënësit kanë mirëkuptim për këtë që po ndodhë. Gjendja është shumë e keqe dhe është turp që në kryeqytet nxënësve t’u pamundësohet arsimi adekuat që është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Shpresoj se do të gjendet zgjidhje për këtë situatë sepse është e palejueshme të gjitha përpjekjet që i bëjmë, ndryshimet që po tentojmë t’i zbatojmë për përmirësim të cilësisë së arsimit, në njëfarë mënyre të parandalohen për shkak të mosorganizimit të autoriteteve të qytetit. Shpresoj se autoritetet e qytetit do ta kuptojnë seriozisht këtë situatë dhe urgjentisht do të gjejnë zgjidhje adekuate”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Janevska i mbështetë edhe studentët të cilët paralajmëruan se nesër do t’i bashkangjiten protestës para Qytetit të Shkupit nëse nuk gjendet zgjidhje për transportin publik.
“Absolutisht kanë të drejtë, kanë të drejtë revoltën e tyre ta shprehin në mënyrë adekuate edhe nëse kjo është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje, unë i mbështes”, tha Janevska.
Problemet me transportin publik të qytetit kulminuan dje pasi që shumë autobusë të Ndërmarrjes publike të qarkullimit nuk qarkulluan për shkak të mungesës së derivateve. Në komunikacion ishin lëshuar vetëm 25 autobusë të cilët punojnë me gaz. Për sot në orën 18 është caktuar mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit, ndërsa disa parti politike kërkuan dorëheqje të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.