Site icon Tetova Expres

Komuna e Tetovës paralajmëroi se nxënësit pritet të pajisen me librat që u mungojnë në gjysmëvjetorin e dytë, MASH-i thotë se ende nuk ka vendim

Nxënësit në Tetovë do t’i marrin librat të cilët u mungojnë në gjysmëvjetorin e dytë. Kështu paralajmëruan nga Komuna e Tetovës  pas takimit që patën me Ministrinë e Arsimit lidhur me këtë problem. Por nga MASH-i thonë se ende nuk është sjellë vendim përfundimtar.

Edhe pas mbi dy muaj e gjysmë që kur ka filluar viti shkollor, nxënësve në shkollat e Tetovës ende iu mungojnë mijëra libra.

Në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi ditë më parë ka pasur takim midis Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Arsimit, ku siç thanë nga Komuna e Tetovës zgjidhje do të ketë gjysmë-vjetorin e dytë .

“Një pjesë e librave do të sigurohet një pjese nga ministria dhe një pjesë do të porositet nga komuna. Në gjysmëvjetorin e dytë nxënësit do të jenë të pajisur me libra përveç gjuhëve që momentalisht nuk gjenden”, informuan nga Komuna e Tetovës .

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës  thanë se ministrja ka mbajtur takim me kryetarin e komunës dhe përfaqësuesit e tjerë të Komunës së Tetovës për mungesën e teksteve shkollore, por nuk është rënë dakord që Ministria e Arsimit dhe Shkencës t’i porosisë tekstet në gjysmëvjetorin e dytë.

Advertisement

“Janë duke u shqyrtuar disa mundësi, ndërsa për vendimin përfundimtar do të njoftoheni më tej”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Për mungesën e librave nëpër shkollat e Tetovës ministrja e Arsimit Vesna Janevska paraprakisht i fajësoi drejtorët e shkollave se nuk i kanë raportuar librat e dëmtuar dhe tha se për këtë arsye kanë ngecur me planifikimin e tyre.

Edhe nga Komuna e Tetovës  patën konfirmuar se është e vërtetë që drejtoritë e shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë kërkuar kompensim nga prindërit për tekstet e dëmtuara shkollore.

Mungesa e furnizimit me libra shtyu prindërit të fotokopjojnë të njëjtat, që u shkaktoi barrë shtesë në xhepat e tyre. Nxënësit e shkollave fillore që në shtator u ankuan  se u mungojnë libra nga lëndët më të ndryshme.

Problemi me librat nuk është duke u zgjidhur me vite të tëra. Në të kaluarën në Tetovë ka pasur edhe protesta nga nxënësit për shkak të mungesës së librave.Portalb.mk

Advertisement
Exit mobile version