Site icon Tetova Expres

Vishnin kostumin e ariut dhe sulmonin veturat e tyre – arrestohen katër persona në Los Angeles

Katër banorë të Los Angelesit u arrestuan dhe u akuzuan së fundmi për mashtrim me sigurimin, pasi dyshohet se përdorën një kostum ariu për të krijuar përshtypjen se automjetet e tyre luksoze ishin dëmtuar nga një kafshë e egër.

Operacioni i quajtur “Kthetra e Ariut,” siç e pagëzuan autoritetet e Kalifornisë këtë skemë të pazakontë mashtrimi, filloi në janar të këtij viti, kur të dyshuarit pretenduan se një ari kishte hyrë në makinën e tyre Rolls Royce Ghost të vitit 2010, e parkuar në Lake Arrowhead, dhe kishte shkaktuar dëme të mëdha në brendësi, raporton odditycentral.

Kjo zonë ndodhet në San Bernadino, e njohur për popullsinë e madhe të arinjve të zinj, por pamjet video të paraqitura nga të dyshuarit për kompaninë e sigurimeve ishin disi të dyshimta.

Në to dukej një kafshë me gëzof duke hyrë në ulëset e pasme të Rolls Roycet dhe duke gërvishtur brendësinë e veturës, por diçka nuk përputhej.

Për fillim, Departamenti i Peshkut dhe Kafshëve të Egra të Kalifornisë konfirmoi se arinjtë e vetëm në këtë shtet janë të zinj, ndërsa ky “ari” ishte ngjyrë kafe e çelur dhe lëvizjet e tij nuk i ngjanin aspak një ariu të vërtetë.

Advertisement

“Pas një shqyrtimi të mëtejshëm të videos, hetimi zbuloi se ‘ariu’ ishte në fakt një person i veshur me një kostum ariu”, i tha policia NPR-së.

“Departamenti kishte angazhuar një biolog nga Departamenti i Peshkut dhe Kafshëve të Egra të Kalifornisë për të rishikuar tre videot e pretenduara me arinj, dhe ai gjithashtu vlerësoi se ishte qartësisht një njeri me kostum ariu”, shtoi policia.

Hetuesit më pas zbuluan se katër të dyshuarit kishin paraqitur edhe dy kërkesa të tjera për kompensim sigurimi duke pretenduar sulme nga arinj në makina të tjera luksoze – një Mercedes G63 AMG i vitit 2015 dhe një Mercedes E350 i vitit 2022 – dhe ishin të bindur se po përballeshin me një mashtrim.

Megjithatë, ata nuk deshën të linin asgjë rastësisht dhe vendosën të siguronin provën përfundimtare: kostumin e ariu. Oficerët e policisë së Kalifornisë ekzekutuan një urdhër kontrolli në shtëpinë e katër të dyshuarve dhe gjetën një kostum ariu të pajisur me një kokë me gëzof, putra dhe mjete metalike në formën e kthetrave që ishin përdorur për të shkaktuar dëmet.

Çështja është aktualisht nën shqyrtim, por nëse shpallen fajtorë, të dyshuarit rrezikojnë të kalojnë kohë pas hekurave për mashtrimin e kompanive me një shumë prej afro 142 mijë dollarësh (134 mijë euro).

Advertisement
Exit mobile version