Site icon Tetova Expres

Çfarë u dakorduan dje dy qeveritë në Prishtinë?

Dje nga takimi ndërqeveritar mes Prishtinës dhe Shkupit u arritën marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e dyja vendeve. Pra, nga kjo lirshëm mund të konstatohet edhe si takim historik nga kjo qeveri për të cilën ka pasur akuza të shumta si qeveri anti-shqiptare. Dje u diskutua, për tema që i prekin qytetarët e dyja vendeve, siç janë pritjet e gjata në pikat kufitare mes dy vendeve, çështjet arsimore dhe ato energjetike, shkruan Zhurnal.

Çfarë u nënshkrua dje në Prishtinë?

Janë nënshkruar marrëveshjet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e parë u nënshkruar mes ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe homologut të tij maqedonas, Pançe Toshkovski, njofton Klankosova.tv.

E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministres së Energjisë, Minierave Minerale të Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozinovska, nënshkruan momerandumin e radhës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe homologia e saj maqedonase, Vesna Janevska nënshkruan edhe marrëveshjen e fundit ndërmjet dy vendeve.

Advertisement

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët mes dy Qeverive, Kosovë-Maqedoni e Veriut, foli edhe për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Kurti tha se presin që të përfundojnë 10 kilometrat e autostradës dhe të bëhet lidhja me autostradën “Arbër Xhaferi” në Kosovë. Mes tjerash, Kurti theks të veçantë i vendosi edhe tunelit Prizren – Tetovë, i cili tha se duhet angazhim për jetësimin e tunelit.

“Në këtë drejtim e mirëpresim përfundimin e autostradës nga Bllaca për në Shkup, më në fund. 10 kilometrat e mbetur që do të lidhte rrjetin e autostradave në Maqedoninë e Veriut me autostradën “Arbër Xhaferi” në Kosovë, dhe së bashku të angazhohemi për jetësimin e e tunelit që e lidh Prizrenin me Tetovën, angazhim ky tashmë i marrë nga dy vendet tjera”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski është shprehur i lumtur për pritjen që ia bëri homologu i tij, Albin Kurti, sot në Prishtinë në kuadër të takimit të përbashkët mes të dyja vendeve.

Ai shpreson se “energjia dhe koha e bukur sot”, do të jetë një impuls i ri për marrëdhënie akoma më të mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“I dashur, Albin. Faleminderit për pritjen e shkëlqyer, energjinë dhe atmosferën që na e mundësuat sot këtu në Prishtinë. Shpresoj se kjo energji e bukur dhe koha e bukur do të jenë impulse të reja për marrëdhënie akoma më të mira midis të dyja vendeve. Shpesh herë takohemi jashtë shteteve tona dhe bisedojmë për gjendjen në vendet tona. Jemi të vetëdijshëm për sfidat, çdo herë konkludojmë se nëse punojmë bashkë do të jemi më të fuqishëm”, tha ai.

Advertisement

Mickoski tutje tha se bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis të dyja vendeve.

“Gjatë takimit bilateral përcaktuam një qëllim këtë vit, bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliard euro tregti midis dy vendeve tona, në vitet që pasojnë bashkëpunimi ekonomik do të jetë akoma më i madh, jam i bindur se do ia dalim. Takimi ndërqeveritar është provë dhe dëshmi se të dyja qeveritë tregojnë se bashkëpunojnë dhe kemi marrëdhënie miqësore dhe të afërta të cilat do t’i avancojmë. Kemi marrëveshje në pjesën e energjetikës, e poashtu edhe të rregullimit të kalimeve ndërkufitare që qytetarët që hynë dhe dalin nga vendet tona do të ndalen në një pikë kalimi dhe jo në dy, dhe në këtë mënyrë të mos ketë rrëmujë nëpër kufi. Të kemi një pikë kufitare dhe të përshpejtohet transferi i udhëtarëve”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Zv.kyeministri dhe Ministri i Qeverisjes së mirë të RMV-së, Arben Fetai thotë se mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte një moment i rëndësishëm për forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe partneritetit në rajon.

“E zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive, mbledhja rezultoi tejet produktive, me nënshkrimin e tre marrëveshjeve: për përmirësimin e lidhjeve të transportit dhe energjisë, bashkëpunimin në arsim dhe kulturë, si dhe për reduktimin e kohës së kalimit të kufijve përmes një protokolli të ri”, sqaron Fetai përmes një shkrimi në rrjetet sociale.

Mbledhje mes dyja qeverive ka pasur edhe në të kaluarën, edhe marrëveshje të nënshkruara, por impelmentimi i tyre në praktikë ka qenë i padukshëm, për faktin se nga pala e Maqedonisë së Veriut partia shqiptare në pushtet nuk ka pasur vullnet pozitiv. Pra, BDI kishte inate të pakuptimta për qëllime vetanake me partinë politike që udhëheq me qeverinë e Kosovës, Vetëvendosjen, prandaj çdoherë kur bëhej fjalë për thellim të raporteve Maqedoni e Veriut – Kosovë, ka pasur hezitim nga pala e vendit tonë. /Zhurnal.mk

Advertisement
Exit mobile version