Lajme nga vendi
BDI: Deklaratat e Albin Kurtit për gjuhën shqipe janë të pavërteta dhe të papranueshme

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme, thuhet në reagimin e BDI-së.
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve.
Në mënyrë specifike, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.”
Çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Për të sqaruar çdo keqinterpretim apo shpërndarje të informacionit të pasaktë, kemi shpërndarë përmbajtjen e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, partive politike dhe mediave në Kosovë.
Ky veprim është bërë për të provuar me fakte se deklaratat e Kryeministrit Kurti nuk qëndrojnë dhe për të garantuar që publiku në Kosovë të jetë i informuar drejt.
Është për keqardhje që një Kryeministri I Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sugjerimet se disa nene të ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm i japin alibi përpjekjeve për të dobësuar këtë legjislacion vital.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin këtë si një akt që shkon kundër interesave të tyre dhe si një zhgënjim i madh nga një politikan që duhej të ishte mbështetës i të drejtave të shqiptarëve kudo.
I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve.
Pavarësisht divergjencave politike, ne besojmë se interesat kombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për qëllime politike apo për të justifikuar padrejtësitë.
Ky moment duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit mes shqiptarëve, veçanërisht kur janë në rrezik arritjet tona historike.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të pranojnë kurrë asnjë hap prapa në të drejtat e tyre”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Lajme nga vendi
I dënuari me burg të përjetshëm në rastin “Lagja e Trimave”, Demë Shehu është dërguar nga Idrizova në Shtip

I dënuari me burg të përjetshëm në rastin “Lagja e Trimave”, Demë Shehu është dërguar jashtë procedurave ligjore për të vuajtur dënimin në një burg tjetër, përkatësisht është dërguar nga Idrizova në Shtip. Në këtë burg nuk ka kushte për sistemimin e të burgosurve që vuajnë dënime të përjetshme. Mësohet jo zyrtarisht se Shehu është sistemuar në qeli në kundërshtim me Ligjin për Zbatimin e Sanksioneve. Që nga e dita e martë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve heshtin rreth pyetjeve tona se për cilat arsye Demë Shehu është dërguar nga Idrizova në Shtip. Sektori për marrëdhënie me publikun as nuk na ka konfirmuar nëse ka pranuar kërkesën tonë dhe nëse do të përgjigjet ose jo të paktën brenda afateve ligjore.Komunikuam me Avokatin e Popullit nga ku na njoftuan se ka rast të evidentuar mbi denoncimin e bashkëshortes së Shehut. Shërbimet e Avokatit të Popullit na thanë se janë informuar nga Drejtoria e Zbatimit të Sanksioneve se vendimi për Shehun është marrë për shkak të sjelljeve të tij ndaj gardianëve, refuzimeve që ka bërë për t’i kontrolluar ushqimin që i kanë sjell familjarët dhe mos respektimin e rregullave të burgut.Demë Shehu ndodhet në vuajtje të dënimit të përjetshëm si i akuzuar për terrorizëm në rastin Lagja e Trimave. Ai disa herë ka qenë objekt i bastisjeve brenda qelisë ku ishte sistemuar me arsyetimin se përdorë celular dhe mbanë armë të ftohta. Deri tani mjete ilegale apo që bien në kundërshtim me ligjin në qelinë e tij nuk janë gjetur.
Lajme nga vendi
30 VITE NGA GJENOCIDI NË SREBRENICË

Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari të Srebrenicës u varrosën të enjten shtatë viktima të gjenocidit të Srebrenicës. Më shumë se 150 mijë persona marrin pjesë në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit. Shumë delegacione kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Potoçari, përfshirë një delegacion nga kosova të kryesuar nga kryeministri Albin Kurti. Presidenti serb, aleksander Vucic ka reaguar ndërkohë në duke thënë se e premtja shënon 30-vjetorin e kryerjes së krimeve të tmerrshme në Srebrenicë. “Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen. Në emër të shtetasve të Serbisë, shprsh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave boshnjake, me bindjen që një krim i ngjashëm nuk do të ndodhë më kurrë”, tha Vuçiç. Vetë ai ishte ministër i informacionit nën diktatorin Sllobodan Milosheviq në vitin 1995, dhe më 20 korrik 1995, ndërsa gjenocidi ishte ende në vazhdim, ai deklaroi në parlamentin e Beogradit se “për çdo serb të vrarë, njëqind myslimanë boshnjakë do të vriteshin”, një deklaratë për të cilën ai ende nuk ka kërkuar falje. Serbia nuk i konsideron si gjenocid krimet e kryera në Srebrenicë dhe vetë Vuçiç ka deklaruar se do të dekorojë përfaqësuesit e shteteve që votuan kundër Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, një vit më parë. Në Qendrën Përkujtimore Srebrenicë-Potoçar janë varrosur deri më tani 6.765 persona, ndërsa rreth 250 viktima të tjera janë varrosur në vende të tjera, sipas dëshirës së familjarëve. Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rreth saj në korrik 1995, çfarë është cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendore. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit dhe për shkeljen e obligimit për ndëshkimin e autorëve të tij. Sidoqoftë, deri më tani, bashkësia ndërkombëtare ka ofruar vetëm një kërkim falje të sinqertë për bashkëpërgjegjësinë e saj për Srebrenicën: kjo ndodhi në korrik 2022 nga qeveria holandeze. Edhe pse padyshim nuk është provuar, është shumë e mundur që bashkësia ndërkombëtare të ketë ditur për planet konkrete për spastrimin etnik në Bosnjën lindore në verën e vitit 1995 dhe t’i ketë pranuar ato në heshtje si çmim për suksesin e negociatave të paqes.
Lajme nga vendi
Sulmohet fizikisht Danella Arsovska, pëfundon në spital

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska është sulmuar fizikisht nga persona akoma të panjohur derisa ndodhej në territorin e Komunës së Çairit bashkë me ekipin e saj për të detektuar siç pretendon ajo ndërtimet pa leje. Arsovska mësohet se është goditur në fytyrë pas çka ka kërkuar ndihmën mjekësore dhe është dërguar në emergjencë në Spitalin 8 Shtatori në Shkup. Policia është adresuar në vendin e ngjarjes për të marrë masa mbi zbardhjen e rastit. Arsovska tashmë disa javë frekuenton në Çair me pretendimet se po detekton ndërtesa pa leje që sipas saj datojnë në dy mandatet e fundit të kreu të Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Për pretendimet e saja, Arsovska ka dorëzuar dokumente edhe në polici dhe prokurori. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve