Në një intervistë për Albanian Post, Arben Taravari ka treguar për qëllimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, i është përgjigjur akuzave të opozitës shqiptare, ka folur për ndryshimet kushtetuese, procesin e integrimit evropian, mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme dhe të arriturat e “VLEN”-it si pjesë e qeverisë së Mickoskit.
Këto komente, Taravari i ka bërë në një intervistë për Albanian Post, në ditën kur në Prishtinë do të mbahet mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë mbledhje që do të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe homologu maqedonas, Hristijan Mickoski, Taravari ka treguar se do të nënshkruhen marrëveshje për Pikat e Përbashkëta Kufitare, Marrëveshje Energjetike dhe Memorandum për Arsim, Shkencë dhe Inovacion.
“Fakti që shqiptarët janë shtetformues dhe VLEN është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimi i kryeministrit tonë Mickoski ndaj platformës tonë si VLEN, e bën këtë mbledhje organike dhe të pritshme”, tha ai, kur pyetet se cili është qëllimi i kësaj mbledhje.
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, të premten kërkoi që në mbledhjen e përbashkët Qeveria e Kosovës të ngritë shqetësimin për cenimin e gjuhës shqipe në RMV, pas paralajmërimeve se Gjykata Kushtetuese mund të shfuqizojë disa nene të Ligjit për gjuhë, të cilat do të cilat do ta afektonin derjtëprejdet përdorimin e gjuhës shqipe.
Por, sipas mjekut të shndërruar në politikan, krejt çuditshëm, “ndonëse jo papritur”, Ahmeti është duke “mbjellë tension dhe ankth të sajuar”.
Taravari tha se ndien “keqardhje” që lideri i BDI-së është katandisur “në një gjendje paniku të vazhdueshme”, derisa dha garanci se gjuha shqipe nuk do të rrezikohet në asnjë rrethanë.
“Ai [Ahmeti] dhe cilido që është shqetësuar për gjuhën shqipe, të jetë i qetë, sepse askush nuk mund ta cenojë atë. ‘VLEN’ është garanci se gjuha shqipe nuk preket!” theksoi ai.
Opozita shqiptare në RMV dhe jo vetëm, vazhdimisht janë duke e cilësuar Qeverinë e Mickoski-t si “anti-shqiptare”, sidomos pas shfuqizimit të Balancuesit (mekanizëm që rregullonte përfaqësimin e drejtë të komuniteteve), zëvendësimin e shqiptarëve nëpër institucionet publike kryesisht me maqedonas, etj.
Por, përsëri, nga prizmi i një prej akterëve kryesor shqiptar në qeverinë e Mickoski-t, këto akuza janë të paqëndrueshme.
“Është shqetësuese se çfarë gjendje po tregon opozita shqiptare. E frikësuar nga pasojat e bëmave të veta po përpëlitet midis gënjeshtrash dhe sajimesh. BDI-ja, po vazhdoi kështu, do të shkojë drejt një eliminimi total nga fusha politike”, shtoi ai.
Koalicioni “VLEN” gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit, si kusht për t’u bërë pjesë e qeverisë, kishte paraqitur miratimin e ndryshimeve kushtetuese, si futjen e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës – kërkesë eksplicite e Sofies zyrtare për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian të RMV-së.
Mirëpo, deri më tani, qeveria e Mickoski-t, ku bën pjesë edhe “VLEN”-i, nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, derisa Taravari shprehet optimist se do të ndodhin, paçka se nuk ka datë konkrete.
“Sigurisht që kryeministri e ka pjesë të agjendës së tij ndryshimet kushtetuese. Këto ndryshime varen nga disa faktorë të tjerë që nuk janë në dorën tonë, por jemi krejtësisht të bindur se këto ndryshime do të ndodhin së shpejti”, deklaroi ministri shqiptar në qeverinë e RMV-së.
Intervista e plotë e Arben Taravarit për Albanian Post:
Albanian Post: Z. Taravari cili është qëllimi i mbledhjes së dy qeverive dhe çka konkretisht dëshironi të arrini përmes saj?
Arben Taravari: Në kemi një lidhje të fortë të natyrshme dhe të kuptueshme midis dy shteteve tona, që madje shkon përtej fqinjësisë së mirë. Fakti që Shqiptarët janë shtetformues dhe VLEN është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe përkushtimi i kryeministrit tonë Mickovski ndaj platformës tonë si VLEN, e bën këtë mbledhje organike dhe të pritshme. Në këtë mbledhje ne do të bëjmë marrëveshje për Pika të Përbashkëta Kufitare, Marrëveshje Energjetike dhe Memorandum për Arsim, Shkencë dhe Inovacion.
Albanian Post: Si ndër akterët kryesorë shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, a mund të na thoni se ku qëndrojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut?
Arben Taravari: Në nivelin më të mirë që kanë qenë ndonjëherë.
Albanian Post: Pjesë e Qeverisë së RMV-së, në postin e zëvendëskryeministrit është edhe Ivan Stoilkoviç, një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës dhe proklamues i politikave fashiste serbe. A e keni ngritur shqetësimin në lidhje me qëndrimet e tij tek kryeministri Mickoski dhe a do të jetë ai pjesë e delegacionit të qeverisë të hënën në Prishtinë?
Arben Taravari: Mos harroni se Qeveria jonë vjen të nënshkruajë bashkëpunime të ngushta me shtetin e Kosovës.
Koalicioni Qeveritar është një marrëveshje shumë më serioze se sa opinioni i një njeriu e sidomos kur opinioni i tij i përket një mentaliteti sa të vjetër po edhe aq të gabuar.
Në dijeninë time z.Stoilkoviç nuk do të jetë i pranishëm në Mbledhjen e Prishtinës por edhe nëse po, do të ishte super, sepse ai do të ishte dëshmitar në vetë të parë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë më afër se kurrë.
Albanian Post: Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që në mbledhjen e përbashkët ta diskutojë çështjen e cenimit të Gjuhës Shqipe në RMV. Cila është përgjigja juaj për këtë temë dhe sa ka rrezik cenimi i Gjuhës Shqipe, pas paralajmërimeve se Gjykata Kushtetuese mund t’i shfuqizojë disa nene të Ligjit për Gjuhë?
Arben Taravari: Më vjen keq që opozita e z.Ahmetit është katandisur në një gjendje paniku të vazhdueshme. Krejt çuditshëm por jo edhe papritur, ai është duke mbjellë tension dhe ankth të sajuar. Dërgon letra të mbushura me shqetësime imagjinare, trillon dhe sajon kinse Maqedonia po rrezikon stabilitetin e nuk e di çmos! Latinët e quajnë Panem et Circenses-Bukë dhe Cirk, është një shprehje që i dedikohet politikanëve që duan të zhvendosin vëmendjen e Popullit diku tjetër.
Kështu edhe z.Ahmeti duke ditur se çfarë ka bërë dhe sa keq ka i ka bërë shumë punë, shpik e sajon që të harrohen punët e tij.
Ai dhe cilido i shqetësuar për gjuhën Shqiptare të jetë i qetë sepse askush nuk mund ta cenojë atë. VLEN është garanci se gjuha shqipe nuk preket!
Albanian Post: Cili do të jetë qëndrimi i juaj, por edhe i koalicionit “VLEN” nëse shfuqizohet gjuha shqipe?
Arben Taravari: Është pyetje retorike. Ne jemi shqiptarë dhe platforma jonë para së gjithash është pro-shqiptare. VLEN vetëm nëse Shqiptarët janë të përfaqësuar denjësisht.
Albanian Post: Ka akuza të vazhdueshme, posaçërisht nga opozita shqiptare në RMV, se Qeveria e Mickoski-t ka një qasje “anti-shqiptare”, kjo pasi që një numër i konsiderueshëm i punonjësve shqiptarë në administratën publike u zëvendësuan kryesisht me maqedonas, por edhe pas shfuqizimit të Balancuesit. Si i përgjigjeni ju këtyre akuzave?
Arben Taravari: Po e thashë më lart, është shqetësuese se çfarë gjendje po tregon opozita shqiptare. E frikësuar nga pasojat e bëmave të veta po përpëlitet midis gënjeshtrash dhe sajimesh. BDI-ja po vazhdoi kështu do të shkojë drejt një eliminimi total nga fusha politike.
Albanian Post: Një nga kushtet për t’u bërë pjesë e qeverisë që e keni përmendur gjatë fushatës zgjedhore kanë qenë ndryshimet kushtetuese. Kur priten të bëhen, a ka datë, por edhe a ka vullnet kryeministri Mickoski për t’i shtyrë përpara?
Arben Taravari: Sigurisht që kryeministri ka pjesë të agjendës së tij ndryshimet kushtetuese. Këto ndryshime varen nga disa faktorë të tjerë që nuk janë në dorën tonë, por jemi krejtësisht të bindur se këto Ndryshime do të ndodhin së shpejti.
Albanian Post: Si e keni parë ndarjen e RMV-së nga Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian?
Arben Taravari: Si një moment të pakëndshëm, por të rikuperueshëm. Jam konfident se së shpejti do të ecim prapë së bashku.
Albanian Post: Së fundmi, BDI-ja është duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, pasi që e konsiderojnë qeverinë “pa legjitimitet etnik”. Sa ka gjasa që të mbahen zgjedhje të parakohshme?
Arben Taravari: Zgjedhjet lokale janë pas disa muajsh, aty BDI-ja ka mundësi të demonstrojë muskujt e saj etnik.
Ne dalim që nesër në zgjedhje por organizimi i tyre ka kosto financiare, dhe nuk mund të lejojmë që të plotësojmë lajthitjet e BDI-së në kurriz të buxhetit modest të shtetit.
BDI-ja është në gjendje paniku dhe asnjë kërkesë apo mendim i saj nuk është i udhëhequr nga arsyeja e shëndoshë. Më vjen keq se si po i lënë Shqiptarët pa opozitë.
Albanian Post: Për fund, në këtë kohë të shkurtër në qeverisje, sa ka arritur koalicioni “VLEN” t’i zbatojë politikat e tij dhe çka konsideroni si sukses deri më tani?
Arben Taravari: Po, ne kemi një kohë të shkurtër në Qeveri por kemi bërë punë të konsiderueshme. Kështu kemi arritur të sigurojmë 30 milionë euro për komunat shqiptare.
Kemi siguruar buxhet të dedikuar për universitetin “Nënë Tereza”, kemi bërë investime në institucionet publike shëndetësore në komunat shqiptare, kemi hapur çerdhe te reja në Maqedoninë Perëndimore, kemi rifilluar punimet e Korridorit 8.
Dhe mbi të gjitha kemi arritur të çrrënjosim sistemin e ndryshkur 22 vjeçar që e kishte prangosur zhvillimin e vendit. Tashmë mandati ynë priret nga motivi që e kemi titulluar drejt më t’mirës.
Drejt më t’mirës është kauza jonë.