Sot, në Prishtinë mbahet mbledhja ndërqeveritare e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në orën 10:30 mbërritën delegacionet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas së cilës u prit me ceremoni kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, transmeton Portalb.mk.
Është paraparë që para fillimit të mbledhjes ndërqeveritare, në orën 11:20, të mbahet takim tet-a-tet ndërmjet kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe takime tet-a-tet ndërmjet ministrave të dy qeverive.
Në orën 12:00 do të mbahet mbledhja ndërqeveritare, pas përfundimit të së cilës do të nënshkruhen protokolle dhe memorandume bashkëpunimi në tre fusha.
“E para është memorandum për energjetikën, minierat dhe burimet minerale, ku përcaktohen nismat për bashkëpunim në fushën e energjetikës, gazit, qymyrit, energjisë elektrike dhe projekteve të rëndësishme infrastrukturore për interkoneksionin e gazit dhe nisma të tjera projektesh, si dhe nisja e bashkëpunimit për të shqyrtuar mundësinë e zhvillimit të një lidhjeje të re direkte të gazit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.
E dyta është informacion mbi nënshkrimin e Protokollit ndërmjet Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes për pikëkalimet kufitare të përbashkëta “Bllacë – Hani i Elezit” dhe “Jazhincë – Glloboqicë”. Ky protokoll rregullon mënyrën e kontrolleve dhe inspektimeve doganore, infrastrukturën e pikave të përbashkëta kufitare, ndërlidhjen reciproke të sistemeve të menaxhimit kufitar dhe mënyrën e mirëmbajtjes së objekteve.
Dokumenti i tretë, që do të nënshkruhet, është një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës.
“Palët pajtohen të punojnë së bashku për përmirësimin e cilësisë në arsimin profesional dhe trajnimet si dhe në arsimin për të rritur në të dyja vendet, duke pasur parasysh dispozitat ligjore të të dy vendeve që rregullojnë punën e tyre. Me anë të memorandumit, palët pajtohen për shkëmbimin e përvojave në arsimin profesional dhe trajnim, përfshirë shkëmbimin e informacionit mbi mënyrën e funksionimit të qendrave rajonale për arsimin dhe trajnimin profesional”, thuhet në njoftim.
Në orën 13:45 do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Mickoski, dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti.
Ministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, më 30 tetor kishte paralajmëruar takimin ndërmjet dy qeverive dhe kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.
Ndryshe, në takimin bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 5 gusht ndër të tjera u diskutua edhe për organizmin e seancës së përbashkët qeveritare deri në fund të vitit 2024. Paraprakisht, në vitin 2022 dhe 2023 ishte planifikuar organizmi i seancës së dytë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, por nuk ishte realizuar.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar disa projekte që prekin interesat e të dy vendeve, si rruga Shkup – Bllacë, Prizren – Tetovë dhe pika e përbashkët kufitare “One Stop Shop”, si një zgjidhje për tejkalimin e kolonave të gjata në kalimet Në lidhje me projektin e fundit, në muajin qershor filloi punën edhe Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.