Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kujtuar se ishte pikërisht BDI ajo që ndërmori dhe realizoi takimet më të rëndësishme ndërqeveritare ndërmjet dy vendeve.
“BDI rikujton gjithashtu se projektet më të rëndësishme të bashkëpunimit strategjik midis dy vendeve, përfundimi i dy kilometrave të para nga autostrada Shkup – Bllacë, hapja e pikës kufitare Bellanoc – Stançiq, ngritja e pikës së përbashkët kufitare One-Stop-Shop, lidhja infrastrukturore përmes projektit të rrugës Tetovë-Prizren, zhvillimi i projekteve turistike Kodër e Diellit-Brezovicë, janë inicuar, miratuar dhe realizuar pikërisht nga BDI.
Këto projekte kanë forcuar marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit.
Megjithatë, mbledhja e sotme e përbashkët e qeverive nuk mund të shërbejë si një fasadë për të mbuluar dështimet e qeverisë aktuale dhe orientimin e saj kundër interesave të barazisë dhe multietnicitetit në vend.
Një qeveri që po çmonton arritjet historike të Marrëveshjes së Ohrit nuk mund të legjitimohet përmes gjesteve simbolike.
Kjo qeveri pa legjitimitet etnik, ka në gjirin e vet Ivan Stoilkoviqin, një politikani të njohur për qëndrime proputiniane si zëvendëskryeministër përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe person që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës si dhe lartëson teroristët e Radojçiqit në Banjskë.
Shqiptarët përballen me rikthimin e praktikave diskriminuese, si mohimi i identitetit etnik dhe kërcënimi ndaj gjuhës shqipe”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Fondet për korridorin 8, jetik për shqiptarët dhe rajonin, si dhe vazhdimin e autostradës Shkup – Bllacë janë shkurtuar ndjeshëm, duke dëmtuar rëndë interesat e shqiptarëve.
BDI nënvizon se këto politika përbëjnë një kthim prapa dhe një rrezik për stabilitetin dhe arritjet historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët meritojnë më shumë sesa gjeste simbolike; ata meritojnë veprime konkrete që mbrojnë të drejtat, dinjitetin dhe interesat e tyre.
BDI do të vazhdojë të jetë zëri i fuqishëm që denoncon padrejtësitë dhe që angazhohet për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, garantimin e barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve, dhe promovimin e interesave strategjike kombëtare. Ne mbetemi të palëkundur në përpjekjet tona për të siguruar që shqiptarët të kenë një të ardhme të drejtë, të barabartë dhe të denjë në Maqedoninë e Veriut.