Mjetet nga huaja e Hungarisë, aktualisht janë ende në llogari dhe nuk shfrytëzohen. Në llogarinë buxhetore kemi suficit dhe kjo rezulton në huamarrje më të ulët në tregun e brendshëm se sa ishte planifikuar. Kështu theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e ftuar në emisionin 360 Gradë.
“Mjetet nga huaja e Hungarisë janë ende në llogari dhe aktualisht nuk ka nevojë për shfrytëzimin e tyre. Në llogari kemi suficit buxhetor dhe kjo lë hapësirë për huamarrje më të ulët në tregun e brendshëm se sa ishte planifikuar. Pres që të fillojë zbatimi i projekteve dhe mjetet e huasë të shfrytëzohen deri në fund të muajit dhjetor, me ç’rast mosshfrytëzimi i tyre do të thotë se deficiti buxhetor do të realizohet në një masë më të vogël dhe do të transferohet bilanc më i madh në llogarinë buxhetore për vitin e ardhshëm. Me ribalancin është planifikuar të transferohet bilanc prej 502 milionë eurove”, potencoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Ajo konfirmoi se ditën e dielë do të mbahet takim i ri me bankat afariste përmes Asociacionit Bankar të Maqedonisë, ku pritet edhe definimi përfundimtar i kushteve me të cilat mjetet do t’u ofrohen kompanive si shfrytëzues të fundit.
“Takimet po mbahen në vazhdimësi përmes Asociacionit Bankar të Maqedonisë. Takimi i ardhshëm do të mbahet të dielën, që është e caktuar tashmë dhe ku do të marrë pjesë edhe Kryeministri, me ç’rast presim që përfundimisht t’i përcaktojmë kushtet. Bëhet fjalë për normë interesi prej 3.25%, përkatësisht këtu nuk do të ketë ndryshim. Kjo është norma e interesit në bazë të së cilës është marrë kredia nga banka Eksport-import nga Hungaria. Patëm diskutim sa i përket çështjes në fjalë dhe për këtë bankat nuk bien dakord dhe kjo është që të marrin pjesë në një farë mënyrë në subvencionimin e normave të interesit dhe të tregojnë përgjegjësi shoqërore, si dhe të ndahet kjo përgjegjësi shoqërore.
Gjegjësisht, ne nuk bëjmë asgjë ndryshe se më parë, sepse që nga viti 2011 e deri më tani janë tërhequr mjete financiare në vlerë prej 650 milionë eurove nga linja të ndryshme kreditore për të cilat shteti ka subvencionuar interesin”, theksoi ministrja e Financave.
Ajo shtoi se njëra nga bankat ka shprehur interes se mund të jetë pjesëmarrëse në subvencionimin e interesit, si dhe për kushtet e afatit të shlyerjes, ku në këtë drejtim është edhe takimi i së dielës për arritjen e kushteve përfundimtare.
“Qëllimi ynë është që të gjitha bankat të jenë pjesëmarrëse edhe pse në praktikë mjetet mund të plasohen edhe përmes një banke. Por, synimi ynë është që të punohet me të gjitha bankat dhe në këtë mënyrë procesi për klientët do të jetë më i thjeshtë, përkatësisht ta marrin kredinë nga banka me të cilën punojnë”, theksoi ministrja.
Ajo bëri të ditur se aktualisht është duke u punuar në procesin e plasimit të mjeteve dhe se pritet të përfundojë procedura e transferimit të mjeteve në llogarinë buxhetore dhe si rrjedhojë edhe mënyra se si do të transferohen në Bankën Zhvillimore, prej ku ato duhet të transferohen më tej në bankat afariste dhe shfrytëzuesit e fundit.
Në intervistë ajo iu referua edhe mjeteve të destinuara për projekte komunale nga huaja e Hungarisë. Njëkohësisht, ajo theksoi se për projektet komunale janë siguruar 250 milionë euro dhe se pret realizimin e tyre, duke qenë se synimi ishte që të përkrahen projektet që janë të gatshme dhe ku realizimi në terren mund të kryhet në mënyrë të shpejt.
Ministrja theksoi lidhur me pritshmëritë për vitin e ardhshëm sa i përket realizimit të projekteve kapitale siç janë drejtimet rrugore për korridoret 8 dhe 10D, për të cilat janë ndarë 12 miliardë denarë, pastaj sa i përket realizimit të projekteve të përgjithshme, si dhe projekteve që financohen nga institucionet financiare ndërkombëtare që momentalisht janë ndërprerë.
Po ashtu theksoi se nuk do të ketë transferta ndaj EMV-së, si dhe probleme me furnizimin me energji elektrike dhe se me Propozimin e buxhetit për vitin 2025 janë siguruar mjete për rritjen e pagave në arsim, shëndetësi, si dhe në administratë sipas marrëveshjeve kolektive.