As hapja e pikës së grumbullimit për mbeturinat inerte nga ana e kompanisë “Saubermacher” dhe Komunës së Tetovës nuk ka dhënë efekt për të pasur një qytet më të pastër. Në vend se mbeturinat të dërgohen në këtë deponi, së fundmi është krijuar një deponi ilegale në hyrje të Tetovës nga pjesa e Shkupit. Në këtë vend, janë hasur mbeturina të llojllojshme inerte të cilët janë hedhur kohëve të fundit. Kështu që, një deponi ilegale mbyllet, një deponi tjetër ilegale krijohet.
Kjo ka bërë që të del në terren kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai ka njoftuar se Komuna e Tetovës është angazhuar që ta pastrojë këtë deponi ilegale, e cila është krijuar së shpejti edhe pse ishte pastruar. “Kjo është një pamje që nuk na ngjan neve, nuk i ngjan Tetovës, nuk u ngjan qytetarëve të Tetovës dhe lusim që të mos përsëritet. Komuna do të ndërmerr masa ndaj të gjithë atyre që hedhin mbeturina në këtë pikë dhe në pikat tjera që nuk janë të caktuara nga Komuna e Tetovës do të vazhdohet që të ndërmerren masa, më saktësisht do të dënohen. Në bazë të informacioneve që i kam marrë nga inspektorati komunal, deri më tash janë shqiptuar me dhjetëra dënime për qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët hedhin mbeturina aty ku nuk e kanë vendin”, deklaroi Kasami.
Ai më tej është shprehur se në këtë vend së shpejti do të vendosen kamera të sigurisë për të identifikuar ata që hedhin mbeturina dhe krijojnë deponi ilegale.
“Për më shumë, para një kohe ne e kemi promovuar një pikë të grumbullimit për mbeturinat inerte, të cilët fatkeqësisht po i shohim se janë hedhur këtu edhe pse lokacioni për grumbullimin e mbeturinave inerte nuk është shumë larg prej këtu, prandaj lusim qytetarët që mos i hedhin mbeturinat në vende tjera, sepse në pikën e grumbullimit hedhja është pa pagesë për gjithë qytetarët e komunës së Tetovës. Apeloj që qytetarët të bashkëpunojnë, ndërsa komuna me inspektoratin do të ketë kontrolle të shtuara, do të ketë mbikëqyrje me kamera dhe të gjithë ata që do të kapen duke hedhur mbeturina në këtë pikë, që është një vend mjaft atraktiv, që është pamja e hyrjes në qytetin tonë do të merren masa më rigoroze”, tha Kasami.
Sipas informacioneve, deri më tani rreth 30 qytetarë janë dënuar të cilët janë kapur duke hedhur mbeturina inerte në deponi ilegale, kurse gjoba është 50 euro, ndërsa për subjektet juridike dënimet janë më të mëdha. Nga komuna e Tetovës kanë paralajmëruar që në të ardhmen në këtë vend të krijohen hapësira të gjelbërta. /TV KOHA/