Site icon Tetova Expres

KOMUNAT HUMBIN MILIONA NGA MOS MBLEDHJA E TATIMEVE, KASAMI: KJO NUK VLEN PËR KOMUNËN E TETOVËS

Komunat humbin 100-120 milionë euro në vit nga mos grumbullimi i tatimeve. Kështu tha Ministri i Pushtetit Lokal Zllatko Perinski në pyetjen e gazetarëve lidhur me zgjerimin e kompetencave për komunat, gjegjësisht me procesin e decentralizimit. Ministri i Pushtetit Lokal Zllatko Perinski iu bëri thirrje krerëve të komunave që sa më mirë t’i mbledhin të ardhurat e tyre, që janë tatimi i pronës, dhe taksat komunale.“Ne me masë intervente do të kapim rreth 274 projekte me 100 milionë euro, e paramendoni nëse këto do mblidheshin si duhet, do të kishte gjithnjë cikle e cikle të reja të investimeve”, tha Zllatko Perinski, Ministër i Pushtetit Lokal.Ndërkohë, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo nuk vlen për komunën që ai udhëheq. Sipas Kasamit, komuna e Tetovës është lidere në inkasimin e tatimeve lokale.“Kjo nuk vlen për komunën e Tetovës. Komuna e Tetovës është lidere në inkasimin e tatimeve lokale, sepse ne nuk kemi pasur përkrahjen e qeverisë dhe deri më tani projektet janë realizuar pjesën më të madhe, nga taksat dhe tatimet e qytetarëve. Muajin që kaloi komuna e Tetovës realizoi rebalancin e buxhetit si rezultat I arritjes së kushtit ligjor për sa I përket inkasimit të të hyrave vetanake. Kështu që ne deri në fund të vitit, do të arrijmë qind për qind të inkasojmë dhe të realizojmë buxhetin e vitit 2024. Brenda këtij muaji planifikojmë të bëjmë edhe një rebalanc, ku do të përfshihen edhe mjete shtesë të cilat ne kemi ti inkasojmë.” tha Kasami.Në ndërkohë, nga Sektori i Financave në komunën e Tetovës thonë se inkasimi i tatimeve në pronë ka kaluar pritshmëritë e vet komunës.Nga ky sektor thonë se inkasimi ka kaluar masën prej 100 përqind, e kjo për shkak të borxheve të akumuluara nga vitet paraprake.Sipas tij, planifikimi që bëhet për një vit tashmë e ka kaluar planifikimin pasi që janë shlyer borxhet e mëhershme.“Vitet paraprake nuk janë grumbulluar tatimet në pronë dhe tatimet tjera.Për vitin 2024 i cili vijon edhe më tej, për momentin inkasimi është 109 përqind dhe me këtë trend inkasimet pritet që deri në fund të arrijë deri në 120 përqind.Pra, investime të cilët vijojnë dhe që janë bërë vite me rradhë janë si rezultat i pagesës së tatimeve që nuk ka qenë praktikë në të kaluarën”, tha Nuredin Deari, udhëheqës i Sektorit të Financave në komunën e Tetovës. Ai më tej theksoi se realizimi i projekteve infrastrukturore dhe zvogëlimi i borxhit është si rezultat i inkasimit të tatimeve që i paguajnë qytetarët.Brenda këtij viti, komuna e Tetovës nga tatimet ka inkasuar rreth 3 milion euro./ TV KOHA/

Exit mobile version