Site icon Tetova Expres

Përmirësohet ndriçimi publik në tre komuna

Tre komuna rurale të rajonit të Pollogut, respektivisht Komuna e Jegunocit, Tearcës dhe e Vrapçishtit, kanë përmirësuar ndriçimin publik nëpër vendbanimet e këtyre komunave. Kjo, falë projektit “Smart Led Lighting Project” që është realizuar me ambasadën e Zvicrës, Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut. Ambasadorja e Zvicrës, Veronik Ulman, në prezantimin e këtij projekti në Komunën e Tearcës tha se ky është një model i mirë kur komunat bashkëpunojnë dhe këtë mund të aplikojnë edhe komunat tjera.

“Në këto tre komuna, kemi bërë ndërrimin e të gjitha poçeve elektrike me Led. Me këtë është investuar në kursimin e energjisë elektrike, kemi zvogëluar koston, po ashtu kemi rritur sigurinë e qytetarëve, mbrojmë ambientin jetësor nga dyoksidi-karboni, gjithashtu dua të theksoj se kemi pasur një bashkëpunim të mirë me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe komunat. Dua të ritheksoj se këtë model mund ta aplikojnë edhe komunat tjera”, tha ambasadorja e Ulman. Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, tha se me këtë projekt është bërë ndërrimi i mbi 800 poçeve elektrike.

“Efikasiteti energjetik ka qenë qëllimi kryesor i ndërrimit të shumicës së poçeve elektrike në Komunën tonë, ku është arritur ndërrimi i mbi 800 poçeve elektrike të cilët janë ndërruar gjatë pesë muajve të kaluar dhe kjo paraqet një nga sfidat tona që të arrijmë të bëjmë zëvendësimin e të gjitha poçëve në territorin e Komunës së Tearcës”, tha kryetari i Tearcës, Nuhi Neziri. Ministri i Pushtetit Lokal, Zllatko Perinski tha se me këtë projekt në njërën anë rritet siguria e qytetarëve, kurse në anën tjetër – mbrohet ambienti dhe përmirësohet kursimi i mjeteve që jepen për ndriçimin publik.

“Një projekt i rëndësishëm për këtë rajon dhe për këto tre komuna. Ne, si pushtet qendror, do të vazhdojmë të përkrahim këto projekte që janë për të mirën e qytetarëve përmes ndarjes së mjeteve të barabarta për 8 rajonet zhvillimore në vend. Krahas kësaj, përmes kursimit të mjeteve nga ndriçimi publik, komunat do të mund të bëjnë investime tjera kapitale aty ku ka nevojë”, tha Perinski. Ndryshe, ndriçimi publik në shumë vendbanime rurale vazhdon të mos jetë në nivel. Në shumë vendbanime, poçet elektrike që janë vendosur në të kaluarën pothuajse janë dëmtuar dhe qytetarët duhet që në mbrëmje të kenë shumë kujdes për shkak se rrugët nuk janë të ndriçuara. Megjithatë, tashmë në disa vendbanime – ndriçimi publik veçmë është përmirësuar dukshëm. TV KOHA

Exit mobile version