Lajme nga vendi
Përmirësohet ndriçimi publik në tre komuna
Tre komuna rurale të rajonit të Pollogut, respektivisht Komuna e Jegunocit, Tearcës dhe e Vrapçishtit, kanë përmirësuar ndriçimin publik nëpër vendbanimet e këtyre komunave. Kjo, falë projektit “Smart Led Lighting Project” që është realizuar me ambasadën e Zvicrës, Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut. Ambasadorja e Zvicrës, Veronik Ulman, në prezantimin e këtij projekti në Komunën e Tearcës tha se ky është një model i mirë kur komunat bashkëpunojnë dhe këtë mund të aplikojnë edhe komunat tjera.
“Në këto tre komuna, kemi bërë ndërrimin e të gjitha poçeve elektrike me Led. Me këtë është investuar në kursimin e energjisë elektrike, kemi zvogëluar koston, po ashtu kemi rritur sigurinë e qytetarëve, mbrojmë ambientin jetësor nga dyoksidi-karboni, gjithashtu dua të theksoj se kemi pasur një bashkëpunim të mirë me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe komunat. Dua të ritheksoj se këtë model mund ta aplikojnë edhe komunat tjera”, tha ambasadorja e Ulman. Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, tha se me këtë projekt është bërë ndërrimi i mbi 800 poçeve elektrike.
“Efikasiteti energjetik ka qenë qëllimi kryesor i ndërrimit të shumicës së poçeve elektrike në Komunën tonë, ku është arritur ndërrimi i mbi 800 poçeve elektrike të cilët janë ndërruar gjatë pesë muajve të kaluar dhe kjo paraqet një nga sfidat tona që të arrijmë të bëjmë zëvendësimin e të gjitha poçëve në territorin e Komunës së Tearcës”, tha kryetari i Tearcës, Nuhi Neziri. Ministri i Pushtetit Lokal, Zllatko Perinski tha se me këtë projekt në njërën anë rritet siguria e qytetarëve, kurse në anën tjetër – mbrohet ambienti dhe përmirësohet kursimi i mjeteve që jepen për ndriçimin publik.
“Një projekt i rëndësishëm për këtë rajon dhe për këto tre komuna. Ne, si pushtet qendror, do të vazhdojmë të përkrahim këto projekte që janë për të mirën e qytetarëve përmes ndarjes së mjeteve të barabarta për 8 rajonet zhvillimore në vend. Krahas kësaj, përmes kursimit të mjeteve nga ndriçimi publik, komunat do të mund të bëjnë investime tjera kapitale aty ku ka nevojë”, tha Perinski. Ndryshe, ndriçimi publik në shumë vendbanime rurale vazhdon të mos jetë në nivel. Në shumë vendbanime, poçet elektrike që janë vendosur në të kaluarën pothuajse janë dëmtuar dhe qytetarët duhet që në mbrëmje të kenë shumë kujdes për shkak se rrugët nuk janë të ndriçuara. Megjithatë, tashmë në disa vendbanime – ndriçimi publik veçmë është përmirësuar dukshëm. TV KOHA
Lajme nga vendi
Qytetarët çojnë “Safe City” në Kushtetuese
Disa qytetarët përmes një nisme i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e sistemit Safe City. Sipas tyre, përmes dërgimit të sms porosive bëhet shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut, keqpërdoren të dhënat personale dhe cenon sigurinë në trafik.
Përveç nismës në kushtetuese, grupi iniciues ka dorëzuar edhe kallëzim penal kundër ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski mbi dyshimet për shpërdorim me detyrën zyrtare, punë të pandërgjegjshme dhe keqpërdorim i të dhënave personale. Në nismë është potencuar edhe drejtësia selektive dhe diskriminimi gjeografik.
Lajme nga vendi
Strasburgu e obligon Maqedoninë: Brenda 3 muajve duhet të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike
Maqedonia humbi rastin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut – shteti është i detyruar brenda tre muajve të paguajë borxhet e ndërmarrjeve publike ndaj kompanive private, sepse nuk janë respektuar vendimet e gjykatave që kanë marrë fuqi ligjore, përcjell TV21. Vendimi konstaton se me të ashtuquajturat “korniza” nga Ligji për Ekzekutimin, është shkelur Neni 6 i Konventës Evropiane – e drejta për një proces të drejtë dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Borxhlinjtë më të mëdhenj janë “Nomagas”, Hekurudhat – Transport dhe Infrastrukturë dhe EMV. Gjykata Evropiane thekson se mungesa e buxhetit ose e burimeve nuk mund të shërbejë si justifikim për mos-ekzekutimin e vendimeve gjyqësore./tv21.tv
Lajme nga vendi
Nga 1 janari ulen shpenzimet për rrymën, KRRE i ul tarifat e rrjetit
Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur të ulë kostot e energjisë elektrike, përcjell TV21. Nga 1 janari, tarifa për përdorimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike Elektrodistribucioni ulet me 3.64%, ndërsa tarifa për përdorimin e sistemit të transmetimit MEPSO ulet me 2.67%. Ulje ka edhe në çmimin e MEMO, me 3.40%.
Me vendimin e sotëm, të gjitha elementet që e përbëjnë çmimin final të rrymës tashmë janë të qarta – çmimi dhe sasia me të cilën është blerë energjia elektrike, shërbimet e operatorëve të rrjetit si dhe blerjet për humbjet në sistem. Tani mbetet që furnizuesi universal EVN Home, nën mbikëqyrjen e KRRE-së, të bëjë përllogaritjen dhe të publikojë çmimet finale sipas blloqeve.
“Pjesa që KRRE rregullon në çmimin përfundimtar ka një ndikim prej rreth 36%”, deklaroi Marko Bislimoski, kryetar i KRRE-së.
-
Lajme nga vendi1 month agoBilall Kasami : Mega projekti që po bëhet realitet investim prej 70 milionë denarëve Tetova po transformohet
-
Lajme nga vendi1 month agoUniversiteti i Tetovës shpreh ngushëllime për vdekjen e studentes Daorsa Spahija
-
Lajme nga vendi2 months agoFatmir Limani: Diaspora do të jetë pjesë integrale e projektit tim politik

