Site icon Tetova Expres

Ballkani më shpejt në BE prej tensioneve gjeopolitike?

Konsideratat gjeostrategjike – si agresioni rus në Ukrainë dhe sferat e mundshme të ndikimit rus – po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimet e fundit në procesin e zgjerimit të BE-së. “Situata e tensionuar gjeopolitike e bën më të domosdoshme se kurrë që të përfundojmë ribashkimin e kontinentit tonë nën vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen me rastin e prezantimit të raportit vjetor të zgjerimit. Në këtë raport Komisioni i BE-së bën një pasqyrë të zgjerimit të BE-së dhe jep rekomandime për hapa të mëtejshëm. Këto duhet të vendosen më pas nga Këshilli, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha shtetet anëtare.

Në konferencën për shtyp Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, theksoi shumë të qartë një pikë: “Nuk mund të vazhdosh të kesh marrëdhënie me Rusinë ose të përpiqesh të vazhdosh si më parë dhe të presësh që vendi të bëhet anëtar i BE.” Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, disa vende, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe vullnetarisht edhe Kosova, janë tashmë plotësisht në përputhje me vijën e BE-në.

Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi është aktualisht përpara kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE. Ky vend gjendet në fazën përfundimtare, e cila përfshin mbylljen e kapitujve që tashmë janë negociuar, shpjegoi komisioneri i zgjerimit të BE, Oliver Varhelyi. Pyetjes se kur do të hartohej marrëveshja e zgjerimit, ai tha se nuk mund të jepte ndonjë datë të caktuar. BE dhe Shqipëria po negociojnë aspektet përmabjtësore të anëtarësimit të ardhshëm që nga muaji tetor. Në raportin e saj BE i kërkon Shqipërisë të përshpejtojë reformat përkatëse, por rekomandon gjithashtu hapjen e kapitullit të negociatave për politikën e jashtme.

Nga Serbia Komisioni i BE-së dëshiron ndër të tjera që ky vend ta përshtatë politikën e tij të jashtme me qëndrimet e BE-së – p.sh. në rastin e sanksioneve kundër Rusisë. Duke theksuar nevojën për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Komisioni u shpreh edhe për hapjen e kapitujve të mëtejshëm të negociimit. Për Kosovën, e cila mbetet kandidate potenciale për anëtarësim, Komisioni i BE-së kërkon veçanërisht forcimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike. Nëse Këshilli i jep atij mandatin, ai është i gatshëm të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për procesin e anëtarësimit.

As Maqedonia e Veriut dhe as Bosnje-Hercegovina nuk janë në fazën përmbajtësore të negociatave. Sipas Komisionit të BE-së Maqedonia e Veriut ka nevojë për reforma të mëtejshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, sistemit të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit. Bosnje-Hercegovina duhet gjithashtu të zbatojë rekomandimet e BE-së përpara se të zbatohen hapat e ardhshëm zyrtarë për fillimin e negociatave. (DW)

Advertisement
Exit mobile version