Site icon Tetova Expres

Shqiptarët dhe kroatët bashkë përuruan përmendoren e Nënë Terezës në Osijek të Kroacisë!(Video)

Tetori i këtij viti ka bë bashkë shqiptarët dhe kroatët në qytetin e Osijekut, kryeqytet i rajonit të Sllavonisë dhe Baranjës në Repulikën e Kroacisë për të promovuar solemnisht shtatoren e Nënë Terezës, të vendosur në një ndër pjesët më të bukura të këtij qyteti. Bëhet fjalë për një projekt që është realizuar falë angazhimit të palodhshëm të Basri Halitit, kryetar i Bashkësisë Shqiptare për Sllavoni dhe Baranjë dhe konsull nderi i Shqipërisë në këtë rajon kroat, por edhe ndihmës së parezervë nga autoritetet e qytetit të Osijekut si dhe të shtetit të Kroacisë. Hapat e parë dhe Iniciativa është ndërmarë që në vitin 2018, kurse u kurorëzua tani pas 6 viteve, falë entuziazmit dhe angazhimit të palodhshëm. Në deklaratën e tij për mediumet kroate dhe për televizionin Lideri Tv nga Shkupi, Haliti ka rikujtuar se Nënë Tereza është një figurë me të cilën nuk krenohen vetëm shqiptarët, por mbarë bota.

Basri Haliti, kryetar i Bashkësisë Shqiptare për Sllavoni dhe Baranjë dhe konsull nderi i Shqipërisë:

“Me këtë aktivitet kemi filluar në vitin 2018 dhe ky është një akt historik për shqiptarët në qytetin e Osijekut dhe në Republikën e Kroacisë. Është një ndër projektet më të qëlluara që kemi bë deri tash dhe si i tillë e ka peshën e vetë historike.
Me këtë rast dua të them se autoritetet kroate na kanë ndihmuar shumë, sepse na e kanë siguruar edhe vendin dhe e kanë financuar projektin e shtatores së Nënë Terezës dhe jemi thellë mirënjohës për ndihmën që na e kanë dhënë në të gjitha sferat”.

Në përurimin solemn morën pjesë shqiptarë që jetojnë në të gjitha viset e Kroacisë pa marë parasysh përkatësinë fetare, veteranë shqiptarë të luftës për pavarësinë e këtij vendi, zyrtarë shterërorë, rajonalë dhe komunalë, si dhe mysafirë të shumtë që i dhanë një solemnitet të shtuar këtij momenti. Gjithsesi nuk mungoi as njohësi më i madh i veprës së Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, i cili me këtë rast uroi shqiptarët e Osijekut dhe gjithë banorët e këtij qyteti.

Don Lush Gjergji, biograf i Nënës Terezë:

Advertisement

“Miq, dashamirë, vëllezër dhe motrat, bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës Terezë. Kurdo që vini para kësaj trupore, shihni duart e hapura, edhe më tepër zemrën e hapur të Nënës Terezë për çdo njeri. Ata njerëz që nuk kanë pasur fuqi t’i shohin me sy, e jo më t’u afrohen e t’i prekin, Nëna Terezë jo vetëm i ka prekë, por edhe i ka përkëdhelë, i ka përqafuar, u ka kthyer dinjitetin dhe personalitetin, saqë njëri prej tyre para se të vdiste tha: kam jetuar si bishë e si kafshë, e po vdes si engjull, pikërisht me kujdesin dhe dashurinë e Nënës Terezë.”

Qytetin e Shkupit, si vendlindje të Gonxhe Bojaxhiut, e që bota e njohu si Nënë Tereza, e përfaqësuan ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kroaci, Milaim Fetai dhe drejtori i Institutit për për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Hasani.

Skender Hasani, drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup:

“Kemi dy ngjarje gjatë historisë që ndërlidhen me dy personalitete të ngjashhme për shqiptarët. Është shekulli 15, kur pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbeut, shqiptarët migruan në Itali, migruan edhe në Zarë të Kroacisë dhe në gjithë botën. Ata lidheshin me figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, një figurë markante e shekullit 15, që e shpëtoi civilizimin evropian. E ngjashme është edhe pas vdekjes së shën Nënë Terezës, ku mërgata jonë gjithandej botës po identifikohet me këtë figurë.
Ky akt i vendosjes së këtij monumenti, kësaj shtatore në Osijek, për çka rol dominant ka luajtur Basri Haliti, një udhëheqës i komunitetit shqiptar këtu në Osijek. Jo rastësisht këto dy figura janë identiteti i shqiptarëve që ia kanë dhënë botës mbarë.”

Kjo është shtatorja e gjashtë kushtuar NënëTerezës në Republikën e Kroacisë, e kontribut të pamohueshëm për këtë ka dhënë edhe Kryetari i Unionit Shqiptar në nivel të Kroacisë Esad Çollaku.

Advertisement

Esad Çollaku, Kryetari i Unionit Shqiptar në Kroaci

“Kontributi i shqiptarëve në shtetin kroat është shumë i madh, si në luftën atdhetare 91-95, si në ekonomi. Shqiptarët përveç që kontribuan në luftën e Kroacisë, kontribuan edhe në shtetëformimin e saj dhe sot faktikisht jemi duke treguar se humanizmi shqiptar është i pandalshëm. Duke pasur parasysh se ne si bij të Nënë Terezës, që sot e zbulojmë truporen e saj, e çojmë mesazhin se shqiptarët nuk erdhën vetëm për të punuar dhe për të ngritur familjet e veta, por janë edhe pjesë integruese e shtetit kroat.”

Shqiptarët janë një komunitet që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të jashtëzakonshëm për Kroacinë. Përfaqësuese e qeverisë kroate në këtë ngjarje ishte ish deputetja shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj Përlaskaj. Kurse në emër të qytetit të Osijekut prezantoi përfaqësuesi i komunës, Dragan Vulin, I cili poashtu ka folur për televizionin Lideri Tv nga Shkupi. Vulin ka theksuar veprën e pamohueshme të Nënë Terezës, por edhe miqësinë e thellë shqiptaro kroate.

Dragan Vulin, zëvendëskryetar i Osijekut:
“Kam kënaqësinë e veçantë që në ditën e sotme do të jemi dëshmitarë të zbulimit solemn por edhe shenjtërimit të përmendores së shën Nënë Terezës.
Bëhet fjalë për një projekt për të cilin meritat më të mëdha i ka Unioni Kombëtar Shqiptar në Republikën e Kroacisë, konkretisht miqtë tanë nga Osijeku. Unë këtu do ta kisha uruar dhe përshëndetur zotëri Basri Halitin, kryetar i Unionit Kombëtar Shqiptar për rajonin Sllavoni dhe Baranjë, i cili në këtë projekt punon që nga viti 2018. E di se sa shumë mund dhe kohë ka investuar në këtë iniciativë, shumë vullnet dhe entuziazëm dhe ja sot jam shumë I lumtur që kjo po ndodhë.
Si vlerë të veçantë të kësaj përmendore në Osijek, përveç gjithë vlerave tjera që përfaqëson Nënë Tereza dhe të gjithë e dimë sa janë të rëndësishme, është se kjo përmendore në Osijek paraqet edhe një shenjë të lidhjes dhe miqësisë së thellë mes popullit shqiptar dhe kroat, që desha të them se bashkëpunojnë, por ndoshta kjo nuk është shprehje adekuate, duke pasur parasysh se miqtë tanë që jetojnë në Osijek janë pjesë përbërëse e këtij qyteti vite me radhë, kurse edhe këtu, si çdo herë, do ta theksoj kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e Republikës së Kroacisë gjatë luftës atdhetare, për çka edhe i falënderoj edhe kësaj radhe.”

Zbulimi dhe shenjtërimi i shtatores nuk ishte evenimenti i vetëm në këtë ditë kushtuar Nënë Terezës. Vepra dhe jeta e saj ishin ngjarja kryesore e ditës në Osijek, sepse u mbajt edhe një meshë kushtuar humanists së madhe nga Shkupi, si dhe një akademi përkujtimoro-shkencore, ku për veprën e Nënë Terezës folën Don Lush Gjergji, profesor doktor Skender Hasani dhe profesor doktor Martin Berisha, ambassador i Kosovës në Republikën e Kroacisë, si dhe imami nga Kosova, Zhevat Kryeziu.

Advertisement

Exit mobile version